schema:text
| - Deklarata për Urën e Ibrit që rrejshëm i mveshet Kurtit
Deklarata
Çështja e hapjes së urës ibrit është e kryer, ajo do të hapet, duan apo nuk duan ndërkombëtarët, ne i dalim zot çdo pjese të shtetit deri në Jarinjë e Bërrnjak, ne nuk po ngrisim tensione vetëm po e zbatojmë urdhërin për ruajtjen e vendit ku nga koha në vijim edhe ura e ibrit do të jetë në dispozicion për qarkullim pa asnjë pengesë, pasi që policia jonë do të mbajë rend dhe drejtësi
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Çështja e hapjes së urës ibrit është e kryer, ajo do të hapet, duan apo nuk duan ndërkombëtarët, ne i dalim zot çdo pjese të shtetit deri në Jarinjë e Bërrnjak, ne nuk po ngrisim tensione vetëm po e zbatojmë urdhërin për ruajtjen e vendit ku nga koha në vijim edhe ura e ibrit do të jetë në dispozicion për qarkullim pa asnjë pengesë, pasi që policia jonë do të mbajë rend dhe drejtësi”. Nga Zyra e kryeministrit Kurti kanë thënë se Kurti nuk e ka thënë një gjë të tillë. Në deklaratat e tij, që janë publike, Kurti ka insistuar në hapjen e urës së Mitrovicës, mirëpo kishte thënë se i kanë marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtareve.
Artikulli
Më 07.08.2024 faqja në Facebook ‘Lajme nga Bota’ (arkiva), ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ai ka deklaruar se ura e Ibrit do të hapet “duan apo nuk duan ndërkombëtarët”.
“Kurti: Çështja e hapjes së urës ibrit është e kryer, ajo do të hapet, duan apo nuk duan ndërkombëtarët, ne i dalim zot çdo pjese të shtetit deri në Jarinjë e Bërrnjak, ne nuk po ngrisim tensione vetëm po e zbatojmë urdhërin për ruajtjen e vendit ku nga koha në vijim edhe ura e ibrit do të jetë në dispozicion për qarkullim pa asnjë pengesë, pasi që policia jonë do të mbajë rend dhe drejtësi”- thuhet në postim.
Çështja e hapjes së urës që ndanë Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut është kthyer në një nga temat më të debatuara gjatë javëve të fundit, pasi Qeveria ka thënë se e njëjta do të hapet, ndërsa BE-ja dhe përfaqësues të Ambasadave të huaja të vendosura në Kosovë e kanë kundërshtuar një ide të tillë.
Për të verifikuar këtë pretendim se kryeministri Kurti ka dhënë një deklaratë të tillë, Krypometër ka shfletuar profilin zyrtar të Kurtit në Facebook, komunikatat e publikuara nga Zyra e Kryeministrit si dhe deklarimet që Kreministri ka bërë rreth urës.
Krypometër fillimisht ka kërkuar nëse një deklaratë e tillë e Kurtit është publikuar në ndonjë media në gjuhën shqipe, mirëpo nuk ka gjetur asnjë deklarim të tillë.
Për çështjen e urës, Kurti ka zhvilluar takime me Ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se Kurti më 02.08.2024 kishte paraqitur para diplomatëve planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”– thuhet mes tjerash në komunikatë.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë”– vijonte kumtesa nga Kryeministria e Kosovës.
Mirëpo, ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Një gjë të tillë e ka thënë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit të ambasadorëve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës, aktualisht”- ka thënë Hovenier, më 02.08.2024.
Më 07.08.2024, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në profilin e tij në Facebook kishte shkruar në lidhje me protestën e mbajtur në Mitrovicë të Veriut, po atë ditë, e organizuar nga qytetarë të komunitetit serb, të cilët po kundërshtonin hapjen e urës.
Kurti kishte thënë se protesta kishte përfunduar pa asnjë incident, teksa kishte ftuar të gjithë qytetarët që të merrnin pjesë në takimin që do të organizohej më 08.08.2024 në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Kryeministri pati thënë se qytetarët do të njoftoheshin mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucional.
“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”- kishte shkruar Kurti në Facebook.
Më 14.08.2024, Kurti kishte ripërsëritur se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Ai përmendi edhe takimin të cilin e ka pasur me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, më 13.08.2024.
“Me komandantin Ulutash diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore në Ibër në Mitrovicë të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri Kurti kishte dhënë një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 19.08.2024, në të cilën kishte theksuar se vërejtjet e ndërkombëtarëve për çështjen e urës po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e saj duhet të bëhet sa më parë.
“Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapët atëherë kur është çliruar Kosova para 25 viteve, ajo nuk është dashur të jetë e mbyllur kur është pavarësuar Kosova para 16 viteve dhe është dashur të hapet para tetë viteve në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit Ibër dhe kjo paraqet vetë frymarrjen e shtetit demokratik”– ka thënë Kurti në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 19.08.2024. “Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë sipas planit që e kemi ndarë edhe me partnerët, kemi zhvilluar konsultime. E kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike. Duam që këtë ta bëjmë sa më parë por as nuk do t’i befasojmë partnerët tanë, por as nuk mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”.
Krypometër ka kontaktuar me këshilltarin politik në Zyrën e Kryeministrit, Klisman Kadiu, për të kërkuar sqarime në lidhje me vërtetësinë e deklaratës që pretendohet se është dhënë nga Kurti.
Kadiu ka thënë se ky nuk është citim i saktë i deklarimeve të kryeministrit Kurti.
“Ky nuk është një parafrazim apo citim krejtësisht i saktë i deklarimeve të kryeministrit”- është shprehur Kadiu.
Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, është kontaktuar nga Krypometri. Manxhuka ka thënë se deklarata është manipuluar dhe nuk qëndron.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikada, të cila u larguan në vitin 2014.
Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe disa pemë.
Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015.
E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.
|