Fotografia e fabrikuar e kryeministrit Kurti që rrejshëm i mveshet një medias gjermane
Deklarata
“Albin Kurti spiun rus” dhe “Qeveria e Kosovës së shpejti në fund”
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia dhe përshkrimi “Albin Kurti spiun rus” dhe “Qeveria e Kosovës së shpejti në fund” janë të rreme. Fotografia është ndryshuar duke u vendosur fotografia e kryeministrit Kurti në prapavijë që gjoja një televizion gjerman është duke raportuar për të. Televizioni gjerman RTL nuk e ka bërë një raportim të tillë. Krypometri ka gjetur se kjo fotografi është e ndryshuar dhe e njëjta është publikuar në internet që në vitin 2015 dhe nga ajo kohë edhe ripublikuar edhe 609 herë të tjera.
Artikulli
Më datën 12 qershor 2023, në faqen e Facebook-ut “Aleanca Ash” ka shpërndarë një fotografi të kryeministrit Albin Kurti me një përshkrim në gjuhën gjermane “Albin Kurti spiun rus” dhe “Qeveria e Kosovës së shpejti në fund”.
Fotografia në fjalë pretendon që gjoja televizioni gjerman RTL ka raportuar për kryeministrin Kurti.
Krypometri, përmes platformës për kërkimin e fotografive “TinEye”, ka gjetur fotografia e njëjtë është publikuar në internet rreth 609 herë që nga viti 2015.
Kjo fotografi është manipuluar vazhdimisht, duke ju ndryshuar tema për të cilën gjoja ka raportuar një televizion, mirëpo duke ju ndryshuar edhe televizioni.
Përveç kësaj, Krypometri ka kontaktuar me zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Arlind Manxhuka.
“Kjo është montazhë dhe një lajm i tillë nuk ekziston”- ka thënë Manxhuka.