schema:text
| - Titulli i rremë për zyrtarizimin e njohës reciproke Kosovë-Serbi
Deklarata
zyrtarizohet njohja reciproke Kosovë – Serbi: Brukseli thotë fjaIën e fu’ndit, vuIoset formuIa, marrëveshja duhet të përfundoj
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit është i rremë. Nuk është zyrtarizur njoha e Kosovës nga ana e Serbisë, e as nuk ka marrëveshje përfundimtare në mes të dy shteteve. Artikulli bazohet në rezoluten e miratuar me 6 korrik nga Parlamenti Evropian, në të cilën thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”. Por, vendimi i Parlamentit Europian nuk është fjala përfundimtare e BE-se, pasi institucioni kryesor i BE-së është Këshilli Europian dhe Komisioni Europian. Rezolutat e miratuara nga Parlamenti Europian nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.
Artikulli
Përditësim 25.07.2022: Pas ndryshimit të përmbajtjes së artikullit nga ana e publikuesit, Krypometër me datën 25.07.2022 e ka ri-vlerësuar këtë përmbajtje.
Titulli i artikullit “zyrtarizohet njohja reciproke Kosovë – Serbi: Brukseli thotë fjaIën e fu’ndit, vuIoset formuIa, marrëveshja duhet të përfundoj” që ishte cilësuar si i rremë është ndryshuar. Titulli është përditësuar duke u vendosur një titullë që është i saktë dhe i vërtetë: “Deputetët e Parlamentit Evropian i thanë ‘po’ raportit për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor.”
Krypometri origjinal i datës 14.07.2022:Media online https://ballina.news65media.com/, ka publikuar një artikull përmes së cilit pretendohet se zyrtarisht ka ndodhur njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Zyrtarizohet njohja reciproke Kosovë – Serbi: Brukseli thotë fjaIën e fu’ndit, vuIoset formuIa, marrëveshja duhet të përfundoj”, është titulli i lajmit të publikuar më 8 korrik të këtij viti.
Raportimi bazohet në rezolutën është miratuar javen e kaluar nga Parlamenti Evropian në të cilën bëhet thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Më 6 korrik 2022, Parlamenti Evropian mitatoi rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.
Përkundër miratimit të kësaj rezolute në Parlamentin Europian, nuk ka ndonjë marrëveshje pëfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që do të përcaktonte njohjen e ndërsjelltë mes vendeve. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së. Kosova ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së: Greqia, Spanja, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.
Përmendja e njohjes reciproke, u bë në kuadër të miratimit nga PE-ja të raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Pala kosovare në vazhdimësi ka përsëritur që njohja reciproke duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ndërkaq, pala serbe kishte përsëritur se nuk do ta njohë Kosovës pasi e konsideron pjesë të sajën edhe me Kushtetutë, ndonëse ka aspirate për anëtarësim në BE e një nga parakushtet për anëtarësim është zgjidhja e kontesteve me shtetet fqinje.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.
Aktualisht, BE-ja po bën përpjekje për organizimin e një takimi të tretë zyrtar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjysma e dytë e korrikut mund të jetë koha kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takimin e tretë në Bruksel, ndonëse kanë theksuar se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë.
Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se mbajtja e një takimi të tillë do të varet nga Brukseli.
“Ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, ka thënë ajo më 7 korrik të këtij viti.
KALLXO.com kishte dërguar pyetje në zyrën e Bashkimit Evropian për të marë ndonjë datë, mirëpo në një përgjigje ata nuk kanë dhënë detaje.
“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e nevojshme”, ka thënë për KALLXO.com Paloma Hall zëdhënëse për Punë të Jashtme dhe Siguri.
Një takim i tretë Kurti-Vuçiq është paralajmëruar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Mirëpo, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq mohoi se do të ketë një takim të nivelit të lartë.
Qeveria e Kosovës së fundi mori vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.
Përveç kësaj qeveria mori vendi, që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.
Pas këtij vendimi, Lajçak tha se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” që i ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi. Pas këtij vendimi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht, nuk ka.
|