schema:text
| - Postime të rreme duke keqpërdorur figurat dhe emrat e gazetarëve e politikanëve
Deklarata
Banka e Kosovës po padit Adriatik Kelmendi për ato që tha në televizionin live
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Postimet dhe artikulli me titull “Banka e Kosovës po padit Adriatik Kelmendi për ato që tha në televizionin live”- është i rremë. Mediat Telegrafi e Prishtina Insight nuk kanë publikuar asnjëherë këtë artikull me këtë titull. Adriatik Kelmendi e ka mohuar të jetë paditur nga BQK-ja apo të ketë deklaruar se ka përfituar duke investuar në një platformë. Njëjtë e kanë mohuar edhe personat e tjerë të apostrofuar në këtë artikull, Jeta Xharra e Saranda Ramaj.
Artikulli
Më 26.08.2024 faqja e internetit “royfractal.com” (arkiva 1 dhe 2) ka publikuar një artikull me titullin “Banka e Kosovës po padit Adriatik Kelmendi për ato që tha në televizionin live”. I njëjti artikull është publikuar edhe në Facebook (arkiva 1 dhe 2).
Përmbajtja e artikullit të publikuar në faqen e internetit është imitim i dizajnit të faqes së medias online Telegrafi.com, ndërsa postimi në Facebook është bërë kinse është publikuar nga media në gjuhën angleze “Prishtina Insight”.
Krypometër ka kontrolluar lajmet e publikuara Telegrafi.com dhe Prishtina Insight, mirëpo aty nuk është asnjë lajm (shiko këtu dhe këtu) i njëjtë i publikuar për Adriatik Kelmendin.
Në përmbajtje pretendohet se gazetari Adriatik Kelmendi gjatë një interviste ka pranuar një telefonatë nga Banka Qendrore e Kosovës pas deklaratave të tij se nuk duhet të punoni për të qenë i pasur dhe se promovon një platformë për të investuar.
Në këtë përmbajtje është publikuar një transkriptë e intervistës që pretendohet se Adriatik Kelmendi e ka zhvilluar me Berat Buzhalën, gazetar dhe pronar i Nacionale.com.
Krypometër e ka gjetur intervistën e plotë që Kelmendi e kishte dhënë në emisionin Ditari i Buzhalës më 06.02.2023, mirëpo aty Kelmendi asnjëherë nuk ka folur për investime në këtë platformë që promovohet nga postimet e bëra në faqen “royfractal.com” (arkiva 1 dhe 2).
Krypometri ka kontaktuar me gazetarin Adriatik Kelmendi i cili demantoi këtë artikull.
“Njësoj si para rreth dy javesh, dikush po shërbehet me lajme të rreme. Nuk po e di se kush qëndron prapa, ose për çfarë qëllimesh”- ka thënë Kelmendi.
Kelmendi më pas e ka bërë edhe një postim në Facebook përmes të cilit ka thënë se “po detyrohem edhe një herë të sqaroj se të gjitha këto që po i shihni janë lajme të rreme. Mos klikoni në to, mos prekni ndonjë link”.
Krypometër ka kontaktuar me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk kanë ushtruar padi siç pretendohet në këtë postim.
“Këto janë lajme të pavërteta (Fake News) të cilat janë tërësisht të pavërteta dhe s’kanë të bëjnë asgjë me BQK-në. Pra, lajmet e publikuara janë të pasakta dhe në kuptim të informimit janë të dëmshme për mbrojtjen e interesit të zyrtarëve dhe të vet qytetarëve në veçanti”- thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës për Krypometër.
Faqja e internetit “royfractal.com” që e ka publikuar këtë lajm (arkiva 1 dhe 2) e ka dizajnin e Telegrafi.com, mirëpo cilëndo rubrikë që e klikon të hapet një faqe e re me dizajn krejt tjetër e cila thotë “Duke përdorur platformën e tregtimit, mund të fitoni nga
€780 deri në €1800 në ditë. Regjistrimi për Kosovën tani është i hapur” (arkiva).
Në këtë faqe janë të vendosura edhe fotografi të personave tjerë me ndikim në Kosovë.
Në këtë faqe është vendosur fotografia e Drejtoreshës së BIRN Kosova, Jeta Xharra gjoja se e njëjta ka thënë “Unë thjesht dua të them një faleminderit të madh sepse Nearest Edge me të vërtetë e ktheu jetën time. Brenda pak javësh, munda ta lija punën!”.
Krypometër ka kontaktuar me Xharrën dhe e njëjta ka thënë se kjo deklaratë është e rreme.
“Unë asnjëherë nuk kam investuar në një platformë të tillë dhe as nuk e kam bërë një deklarim të tillë”- ka thënë Xharra.
Në këtë faqe është paraqitur edhe fotografia dhe kinse një citat e gazetares së Grupit KOHA, Saranda Ramaj.
E kontaktuar nga Krypometër, Ramaj ka thënë se nuk e ka dhënë këtë deklaratë që i është mveshur asaj dhe as nuk ka investuar asnjëherë në një platformë të tillë.
|