schema:text
| - Pretendime të rreme për shërim të osteoartritit dhe artritit reumatoid
Deklarata
ORTOPEDIKE SI OSTEOARTRITI, ARTRITI RHEUMATOID, BURSITI, TENDONITET, OSTEOPORITETET, TENDONITET , BUNIONET DHE BËrryli i TENISIT BRENDA 2 JAVEVE
Vlerësimi
Me kos
Pretendimet se përmes një kreme mund të shërohen “ORTOPEDIKE SI OSTEOARTRITI, ARTRITI RHEUMATOID, BURSITI, TENDONITET, OSTEOPORITETET, TENDONITET , BUNIONET DHE BËrryli i TENISIT BRENDA 2 JAVEVE” janë të rreme. Në këtë video nuk është ofruar asnjë fakt shkencor se gjithë këto sëmundje mund të shërohen përmes një kreme. Për më tepër krema e reklamuar nuk ka Autorizim të Marketingut në Kosovë, e që sipas Ligjit nuk mund të tregtohet si produkt medicinal. Ortopedi Zukë Xani thot se trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenimin kirurgjik.
Artikulli
Më 08.01.2025, faqja në Facebook Shopping Store (arkiva) ka publikuar një video për një produkt i cili pretendohet se shëron nyjet. “MUND TË SIGUROJ LEHTËSIM TË SHPEJTË DHIMBJES DHE TË ELIMINOJË SIGURT DHE EFEKTIVË 99% TË PROBLEMEVE ORTOPEDIKE SI OSTEOARTRITI, ARTRITI RHEUMATOID, BURSITI, TENDONITET, OSTEOPORITETET, TENDONITET , BUNIONET DHE BËrryli i TENISIT BRENDA 2 JAVEVE.”- shkruan në përshkrimin e kësaj videoje.
Artikulli rekomandon një produkt të quajtur “Bee Venom”, i cili pretendohet se shëron nyjet. “Vetëm disa vite duke jetuar kështu dhe nuk do të mund të flini më në paqe nga dhimbjet e tmerrshme të nyjeve. Kjo nuk është ajo që dëshironi, apo jo? Ekziston vetëm një mënyrë për t’u çliruar nga osteoartriti, artriti, osteoporoza, apo sëmundje të tjera njëherë e përgjithmonë. Së bashku me një ekip prej gjashtë ekspertësh të Harward Medical School kemi zhvilluar një mënyrë unike, natyrale për trajtimin e nyjeve. Kjo është një zgjidhje revulucionare dhe tani shumë njerëz po shpëtojnë shëndetin e tyre me të…”- thuhet në këtë video të publikuar nga faqja në Facebook Shopping Store. Tutje, në video pretendohet se kjo kremë i shëron plotësisht këto sëmundje.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë (AKPPM)
rezulton se produkti “Bee Venom Cream” nuk është në listën e barnave me Autorizim Marketingu. Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës, vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM.”
Si trajtohen nyjet?
Për të kuptuar më shumë rreth trajtimit, shërimit të nyjeve, Krypometër ka kontaktuar ortoped e reumatolog.
Ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenimin kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- tha Xani për Krypometër.
Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thot se është esenciale që për secilin ilaç apo suplement të kemi informacione se për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin etj., pasi ka parë postime të rreme, të cilat u japin shpresa qytetarëve për shërim të sëmundjeve.
Shabani Berisha ka dhënë sqarime për këtë sëmundje në një postim në profilin (arkiva) në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet, si dhe në prekje të organeve të trupit.
|