schema:text
| - Rrena për mos-dorëzim të komenteve nga grupet parlamentare tek Rregullatori
Deklarata
Mimoza Kusari Lila (08.02.2022) – “Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve e cila ka qenë e hapur për dy javë dhe asnjëri as tjetri grup në procedurë të konsultimeve nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare, siç e parasheh Ligji mbi rregullatorin e energjisë, komentet e tyre në raport me propozimet e ZRrE-së”.
Vlerësimi
Me kos
Grupi Parlamentar i LDK-së dhe ai i AAK-së kanë dorëzuar komente tek Rregullatori i Energjisë rreth propozimit fillestar për të hyrat maksimale dhe strukturën e re tarifore. Komentet janë dorëzuar në ZRrE me kohë dhe janë të protokolluara. Përveç kësaj, Rregullatori i ka kthyer përgjigje komenteve të grupeve parlamentare të dy partive opozitare. Vetëm PDK-ja, nuk ka dorëzuar komente tek ZRrE-ja.
Artikulli
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 8 shkurt, përderisa grupet parlamentare po deklaroheshin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se partitë opozitare nuk kanë dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për tarifat e reja të rrymës.
Duke folur për propozimin e bërë nga grupi Parlamentar i PDK-së që është mbështetur nga grupi Parlamentar i LDK-së, ajo ka thënë se në ZRrE nuk janë dorëzu komentet e grupeve paralamentare.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve e cila ka qenë e hapur për dy javë dhe asnjëri as tjetri grup në procedurë të konsultimeve nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare, siç e parasheh Ligji mbi rregullatorin e energjisë, komentet e tyre në raport me propozimet e ZRrE-së”, ka thënë Kusari Lila.
Ajo ka thënë se bordi i ZRrE-së është thirr në raportim në Komision Parlamentar, të cilët kanë kërkuar që komentet të bëhen në raportet konsultative që i kanë publikuar.
“Janë mekanizma tjerë të cilët mund të ndikojnë në zbutjen e ngritjes së çmimit njëjtë siç ka nda Qeveria subvencionin. Ajo çfarë tentohet këtu, po se është shkelje e rendit kushtetues dhe shkelje e ligjit të Rregulltorit të Energjisë dhe Ligjit për Energji Elektrike”, ka shtuar ajo.
PDK-ja dhe grupi i saj parlamentar nuk kishte dorëzuar fare komente në raportin konsultativ të ZRrE-së. Ndërsa, grupi parlamentar i LDK-së ka dorëzuar komente tek ZRrE-ja rreth propozimeve të saja për shtrenjtim të rrymës. Njëjtë edhe grupi parlamentar i AAK-së ka dorëzuar komente tek ZRrE-ja për duke kundershtuar rritjen e tarifave për një pesë të qytetarëve të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes shefit të grupit parlamentar të tyre, Arben Gashit, me 31 janar 2022, ka dërguar 7 komente tek ZRrE, në formë të rekomandimeve se si të bëhej ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike.
Komentet e LDK-së të dërguara me nënshkrimin e Arben Gashit, janë gjithashtu të protokoluara nga ana e ZRrE-së.
Përveç kësaj, Rregullatori i ka dhënë përgjigje komenteve të dorëzuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Njëjtë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zyrtarisht përmes shefit të grupit parlamentar, Besnik Tahirit, me 31 janar 2022 gjithashtu i kanë dorëzuar komentet e tyre për këtë temë.
Katër komente në formë të rekomandimit janë protokoluar nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Rregullatori i ka dhënë përgjigje edhe komenteve të AAK-së që nënkupton që i ka trajtuar si komente të rregullta që kanë ardhur në bazë të procedurës së paraparë për dorëzim dhe trajtim të komenteve.
Në po të njëjtën seancë ku Kusari-Lila tha se komentet nuk janë dërguar, Besnik Tahiri i AAK-së, tha se komentet janë dërguar me kohë.
“Diskutimi apo çështja që e ngriti kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së rreth komenteve të AAK-së sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike, dua të ritheksoj se në komentet tona i kemi dërguar me kohë, në email të ZRrE-së dhe përmes postës në hard copy”, ka deklaruar Tahiri.
Gjithashtu, edhe Hykmete Bajrami e LDK-së tha se partia e saj i ka dërguar komentet me kohë.
“Zonja Kusari vetëm sa shpifi kur përfshiu Lidhjen Demokratike të Kosovës në grupin e partive që nuk kanë dërgua komente në ZRrE. Mund ta dokumentoj edhe të protokolluar, komentet e LDK-së kanë shkuar në zyrat e ZRrE-së, zyrën e kryeministrit, zyrat e ministrit të Financave dhe zyrën e ministres së Ekonomisë, andaj kërkoni falje për këtë shpifje”, ka thënë ajo.
|