schema:text
| - Rrëfime të rreme për shitje të ilaçeve
Deklarata
Si të qëndroni larg karrocës me rrota dhe të shpëtoni shpejt nga artriti, osteokondroza dhe probleme të tjera të nyjeve
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli i shkruar në vetën e parë me pretendimin se aty po tregohet historia personale e Astrit Sefajt dhe që mbanë titullin “Si të qëndroni larg karrocës me rrota dhe të shpëtoni shpejt nga artriti, osteokondroza dhe probleme të tjera të nyjeve”- është i rremë. Fotografia që pretendohet se është Astrit Sefajt është publikuar në internet me emra të tjera si “Marko Sretkovski” dhe e njëjta është realizuar në Moldavi. Në Kosovë nuk ka asnjë doktor të licencuar me emrin Agim Shala. Në këtë artikull promovohet një ilaç që nuk ka Autorizim të Marketingut, i nevojshëm për tregtim në Kosovë. Specialistët thonë se sëmundjet si: Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë të pashërueshme dhe të njëjtat trajtohen vetëm për trajtim të simptomave.
Artikulli
Më 11.07.2024 faqja në Instagram ‘Dr. Agim Shala’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Si të qëndroni larg karrocës me rrota dhe të shpëtoni shpejt nga artriti, osteokondroza dhe probleme të tjera të nyjeve”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në faqen ‘celadrineal.joints.space’ (arkiva) me titull “Si i shërova vetë nyjet në moshën 67 vjeçare – u largova nga paaftësia dhe tani vrapoj si i ri!”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në Facebook me profilin me të njëjtin emër, ‘Dr. Agim Shala (arkiva).
Artikulli është shkruar në vetën e parë dhe aty thuhet se tregohet historia personale e Astrit Sefajt.
“Nuk më ndihmuan as mjekët, as kremrat dhe tabletat e shtrenjta! Vetëm vaji esencial i klarit nga sherebela dhe përbërësit e tjerë shërues menjëherë lehtësojnë dhimbjen, rigjenerojnë kërcin dhe i rinovojnë nyjet”- shkruan në artikull.
Përmes ‘Yandex’, Krypometër ka kërkuar fotografinë me të cilën është ilustruar Astrit Sefaj dhe rezulton se e njëjta është publikuar në një artikull me titull “Si i shërova nyjet e mia në moshën 67-vjeçare”, por aty emri i personit që e tregon historinë personale është “Marko Sretkovski”.
Krypometër ka vazhduar kërkimin e fotografisë përmes PimEyes dhe rezulton se e njëjta është bërë në Moldavi.
Lista e gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës, prandaj Krypometër ka kontrolluar këtë listë dhe aty nuk figuron asnjë mjek me emrin Agim Shala.
Në nenin 8 të ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor thuhet se anëtarësimi në Odat e Profesionistëve Shëndetësor është i detyrueshëm për të gjithë doktorët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës. Krypometër ka kërkuar në “Google” nëse është ndonjë doktor me emrin Agim Shala, por nuk ka gjetur një të tillë.
Ky artikull reklamon kremin “Celadrine”, për të cilin pretendohet se i shëron nyjet.
Krypometër ka kërkuar edhe tek lista e ilaçeve që kanë autorizim marketingu në Kosovë nëse i njëjti është i lejuar për tu shitur dhe tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për produkte dhe pajisje medicinale në Kosovë rezulton se produkti Erobeast nuk është në listën e ilaçeveme autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM)”.
Reumatologu Besim Demolli ka thënë për Krypometër se Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme dhe se trajtimi i tyre fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Demolli ka thënë se këto sëmundje nuk mund të shërohen me suplemente.
“Është e rëndësishme të shmangen suplementet e paprovuara dhe të panevojshme që nuk rekomandohen nga organizata të respektuara si ACR dhe EULAR, pasi ato mund të jenë jo vetëm të panevojshme, por edhe potencialisht të dëmshme”– tha Demolli për Krypometër.
|