schema:text
| - Titulli i rremë për deklaratën e kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë
Deklarata
Rama GODET Opoziten E Kosoves: ” Ia Keni NguIur THlKEN Ne Gjoks, Thacit Dhe UCK-Se
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikulli: “Rama GODET Opoziten E Kosoves: ” Ia Keni NguIur THlKEN Ne Gjoks, Thacit Dhe UCK-Se!!!” është i rremë. Rama nuk ka folur për opozitën e Kosovës, por deklaratën e bërë e kishte për partitë opozitare të Shqipërisë, përkatësisht për Partinë Demokratike që udhëhiqet nga Sali Berisha. Përveç titullit, teksti i artikullit flet për deklaratën e saktë që ka bërë Rama.
Artikulli
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e kaluar, në lidhje me Projekt-rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.
Rama i ishte drejtuar opozitës në Shqipëri, duke u thënë se “ia kanë ngulur thikën mu në gjoks”, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe se UÇK-në e kanë quajtur “terroriste.”
Një pjesë e deklaratës së tij është shtrembëruar në një media online.
Media au.active24live.com ka publikuar një artikull me titullin “Rama GODET Opoziten E Kosoves: Ia Keni NguIur THlKEN Ne Gjoks, Thacit Dhe UCK-Se”.
Ky titull është i rremë, pasi Rama nuk ka folur për opozitën e Kosovës, por deklaratën e bërë e kishte për partitë opozitare të Shqipërisë, përkatësisht për Partinë Demokratike që udhëhiqet nga Sali Berisha.
Teksti i referohet deklaratës së Ramës, në të cilën ai kishte kritikuar opozitën në Shqipëri, në këtë rast Partinë Demokratike (PD), se ata i kishin hapur rrugë raportit të Dick Martyt.
Kjo është deklarata e plotë e kryeministrit, Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë.
“Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës. Dick Martyt ja keni hapur rrugën ju dhe po kështu hajdeni këtu dhe thoni çfarë mendoni ju për Hashim Thaçin. Është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju, sepse thikat që ju i keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke masakruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si terroristë, si marksistë e si dreqi me të birin, der në ditën e fundit. Duke i ngritur thikën dhe duke i ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës. I përkasin historisë, juve as nuk i shlyeni dot, e as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju, patriotët e mëdhej jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrëmbur nuk drejtohet”, ka thënë Rama.
Këto deklarata janë bërë në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë kohës kur po diskutohej Projekt-rezoluta, e cila synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, e miratuar nga votat e 125 deputetëve, kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para së cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.
Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat.
|