schema:text
| - Shtrembërimi i lajmit për skemën ‘Qeveria për Familjen’
Deklarata
Urime Kosovë, Me Këtë Vendim Të Qeverisë Nuk Do Të Mbesë Më Asnjë I Pa Pune, Ja Detajet!
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Titulli i këtij shkrimi “Urime Kosovë, Me Këtë Vendim Të Qeverisë Nuk Do Të Mbesë Më Asnjë I Pa Pune, Ja Detajet!”, është i rremë dhe i njëjti nuk korrespondon me përmbajtjen e lajmit. Skema “Qeveria për Familjen” nuk synon që t’i punësojë të gjithë personat e papunë në Kosovë. Kjo skemë synon që çdo familje në Kosovë do të ketë së paku një të punësuar duke i subvencionuar bizneset që punësojnë mbajtës të familjes me 70% të pagës, apo maksimumi i mbështetjes të jetë 300 euro.
Artikulli
Skema ‘Qeveria për Familjen’ e cila synon subvencionimin e bizneseve që punësojnë një person nga një familje që nuk ka asnjë të punësuar.
Më 16 korrik, kryeministri i vendit Albin Kurti bëri prezantimin e kësaj skeme, duke theksuar se do të subvencionohen bizneset që punësojnë punëtorë nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.
Me publikimin e kësaj skeme, disa media e kanë shfrytëzuar për të keqinformuar publikun duke e prezantuar rrejshëm skemën e Qeverisë si zgjidhje për papunësinë.
Portali active24live ka publikuar lajmin me titull ‘Urime Kosovë, Me Këtë Vendim Të Qeverisë Nuk Do Të Mbesë Më Asnje I Pa Pune, Ja Detajet!’
Titulli i këtij shkrimi është i rremë dhe i njëjti nuk korrespondon me përmbajtjen e lajmit. Vendimi i Qeverisë synon që secila familje të ketë të paktën një anëtar të punësuar, mirëpo në asnjë mënyrë nuk synon që të gjithë personat e papunë të punësohen.
Lajmi është shoqëruar me deklarata të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili në konferencën e mbajtur dje ka sqaruar se çfarë parasheh kjo masë. Përmbajtja e tekstit është reale dhe ka shpjegime të dhëna nga ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media. Ai ka sqaruar këtë vendim duke thënë se bëhet fjalë për punësimin e mbajtësve të familjes, për ato familje të cilat nuk kanë asnjë të punësuar.
“Qeveria për familjet do të mundësoj që bizneset që janë të interesuara të punësojnë mbajtës të familjes t`i mbështesim me 70 për qind të pagës bruto, pra subvencionimi është deri në vlerën 300 euro, paga mund të jetë më e lartë”, tha Murati.
Për të aplikuar për këtë masë së pari duhet të bëhet regjistrimi në Agjencinë e Punës si nga punëkërkuesi, ashtu edhe nga biznesi që dëshiron të punësojë.
“Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes dhe me anë të kësaj mase të përfitojnë nga subvencionimi i pagës prej 70 për qind duhet të lajmërohen në zyrat e Agjencisë së punës dhe të tregojnë për numrin e stafit dhe çfarë pozita i duhen”, tha Murati.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve ka thënë se përmes kësaj mase synohet që familjet në Kosovë do të ketë së paku një të punësuar.
“Në kuadër të masave të punësimit, synojmë të garantojmë që çdo familje në Kosovë ka së paku një anëtar të punësuar. Përmes kësaj skeme ne do subvencionojmë deri në 70% të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro për 6 muaj me radhë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes.
“Kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes. Nga e hëna, krejt çfarë duhet të bëni si qytetarë që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht dhe si punëdhënës privat që kërkoni punëtor, është të dërgoni dokumentet përkatëse në zyrat e punësimit në komunat tuaja”, ka thënë tutje ai.
|