schema:text
| - Huqja e sasisë së parave të dorëzuara në Polici nga një bankë
Deklarata
Bankierja dërgon në polici 2 euroshe të falsifikuara që arrijnë shumën mbi 7 mijë
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Titujt e artikujëve “Bankierja dërgon në polici 2 euroshe të falsifikuara që arrijnë shumën mbi 7 mijë” nuk janë të saktë. Krypometër, ka verifikuar se shuma e monedhave metalike 2 euro të dorëzuara në Policinë e Kosovës nga Banka TEB është 14,760 euro. Policia e Kosovës dhe Banka TEB kanë thënë se kjo shumë e dorëzuar në Polici me 13.02.2024 është grumbulluar për një periudhë 5 vjeçare. Banka TEB ka thënë se grumbullimi i sasisë së madhe të parave është bërë për periudhë 5 vjeçare dhe për shkak se Dega në Podujevë është e vetmja në atë rajon të Kosovës.
Artikulli
Më 14.02.2024 portale dhe faqe në internet shpërndanë një lajm me titull “Bankierja dërgon në polici 2 euroshe të falsifikuara që arrijnë shumën mbi 7 mijë”.
Lajmi me këtë përshkrim u publikua nga faqet: Kosova.info (arkive), GazetaBlic (arkive), Qyteti Mitrovicës dhe Prestigji.com (arkive).
Edhe pse në titull thuhet se sasia e parave kapë shumën mbi 7 mijë euro, në tekst është cekur se bëhet fjalë për 7,380 monedha metalike nga 2 euro.
“Një punonjëse e bankës në Podujevë ka dërguar në stacion policor 7380 monedha metalike nga 2 euro që dyshohet se janë të falsifikuara”- thuhet brenda lajmit.
Për të verifikuar këtë lajm, Krypometër ka kërkuar në raportimet 24 orëshe që bëhen nga Policia e Kosovës.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, të lëshuar më datë 14.02.2024, thuhet se sasia e parave të dorëzuara është 14,760 euro.
“Rr. Bulevardi i Dëshmorëve, Podujevë 13.02.2024– 10:00h. Ankuesi femër kosovare- zyrtare e bankës, ka sjellë në stacion policor 7,380 monedha metalike nga 2€ që dyshohet se janë të falsifikuara. Sipas ankuesit, paratë janë deponuar në bankë nga klientë të ndryshëm gjatë një periudhe 5 vjeçare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar”- thuhet në raportin 24-orësh të dërguar nga Policia e Kosovës te mediat më 14.02.2044.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Bankën TEB, e cila i kishte deponuar këta pesë thasë me monedha metalike 2 euro në Polici.
Driton Latifi, Drejtues i zyrës per komunikim korporativ në Bankën TEB për Krypometër ka thënë se grumbullimi i këtyre monedhave është bërë për një kohë të gjatë.
“Monedhat në vlerën prej 2 EUR janë mbledhur në një sasi më të madhe, gjatë një periudhe 5 vjeçare, për shkak se Dega e Podujevës është e vetmja në atë rajon”- ka thënë Latifi.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Prokuroria gjatë vitit 2023 janë përfshirë në zbulimin dhe arrestimin e një grupi të dyshuar për falsifikim të monedhave metalike 2 euroshe.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjashtë të dyshuarit për falsifikimin e monedhave 2 euroshe dyshohet se bëhet fjalë për një grup kriminal me role të caktuara, ashtu që të dyshuarit Maqedonas i sigurojnë paratë e falsifikuara, kurse të dyshuarit e Kosovës luajnë rolin e ndërmjetësuesve.
Krypometër ka kërkuar edhe një përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës, të cilët kanë thënë se janë bashkërenduar me disa institucione të tjera në mënyrë që të ndalohet përdorimi i parave false.
“Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët me institucionet përgjegjëse të zbatimit të ligjit, dhe veprimit efektiv u arrit konfiskimi i sasive të mëdha të monedhave të denominimit prej 2 Euro nga organet e zbatimit të ligjit, në çka edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzuan qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
BQK-ja, më 17.01.2024, ka publikuar një manual për tiparet e sigurisë së kartëmonedhave dhe për tiparet e sigurisë së monedhave.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 te Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, dhe kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim.
|