schema:text
| - Informacioni i pasaktë se janë vrarë vetëm 136 fëmijë në Ukrainë
Deklarata
Në Ukrainë, një shtet me 43 milionë banorë, janë vra 136 fëmijë
Vlerësimi
Rrenë
Konstatimet se “në Ukrainë, një shtet me 43 milionë banorë, janë vra 136 fëmijë” janë të rreme. Në një raport të publikuar më 1 qershor 2023, Kombet e Bashkuara thonë se 535 fëmijë janë vrarë dhe 1 mijë e 47 fëmijë të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të njëanshëm nga Rusia. Organizata “Save the Children” në një raport të publikuar më 3 prill 2023 thotë se të paktën 501 fëmijë janë vrarë deri në atë kohë, në luftën në Ukrainë.
Artikulli
Më 24 qershor 2023, faqja e Facebook-ut “Maqedonia Shqiptare” ka shpërndarë një përmbajtje në lidhje me vrasjen e fëmijëve në Ukrainë.
Faqja pretendon se në Ukrainë janë vrarë 136 fëmijë që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj shtetit ukrainas.
Mirëpo ky informacion nuk është i saktë.
Në një raport të publikuar për ditën e fëmijëve, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se mbi 535 fëmijë janë vrarë dhe 1 mijë e 47 fëmijë të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të njëanshëm nga ana e Rusisë, 15 muaj më parë.
Organizata “Save the Children” në një raport të publikuar më 3 prill 2023 thotë se të paktën 501 fëmijë janë vrarë deri në atë kohë, në luftën në Ukrainë.
Ndërsa, në një raport të UNICEF-it të publikuar më 22 gusht të vitit 2022, thuhet se deri në atë kohë rreth 972 fëmijë janë vrarë apo plagosur në Ukrainë.
“Duke i bërë jehonë pretendimeve, më 17 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) e mbështetur nga OKB-ja ka lëshuar urdhra arresti për Presidentin rus Vladimir Putin dhe Komisioneren për të Drejtat e Fëmijëve Maria Lvova-Belova, në lidhje me krimet e mundshme të luftës në lidhje me dëbimin dhe “transferimin e paligjshëm” të fëmijëve nga Ukraina e pushtuar”- thuhet në raportin e OKB-së.
Zyra e komisionarit të lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, në një raport, ka thënë se 9,083 civilë ukrainas janë vrarë që nga nisja e pushtimit të paprovokuar rus në shkurtin e kaluar deri më 18 qershor 2023.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Ky konflikt përmbysi jetët e miliona njerëzve dhe shkaktoi shkatërrim në masë, i cili po vazhdon edhe sot.
|