Rrena se gjysma e Kosovës do të jetë në terr për Vitin të Ri
Deklarata
Lajm i keq: Natën e vitit të ri gati e gjithë Kosova në terr
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Lajm i keq: Natën e vitit të ri gati e gjithë Kosova në terr” është i rremë. Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala tha nuk kanë planifikuar ndërprerje të rrymës për natën e vitit të ri, pra me 31 dhjetor 2022. Ai tregoi se ky portal i është referuar një njoftimi të përditshëm për ndërprerje të planifikuara që ishte lëshuar për datën 30 dhjetor 2022, e në të cilin ishin planifikuar ndërprerje që nuk i preknin as 1% të konsumatorëve të KEDS-it.
Artikulli
Më 29 dhjetor portali “Botapress.info” ka publikuar një artikull me titullin “Lajm i keq: Natën e vitit të ri gati e gjithë Kosova në terr”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në Facebook, në faqen Botapress.
Brenda në artikull thuhet se KEDS përmes një komunikate për media ka bërë të ditura lokacionet dhe oraret e ndërprerjeve në natën e vitit të ri.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për KALLXO.com ka thënë se në natën e Vitit të Ri nuk kanë planifikuar ndërprerje për asnjë konsumator dhe nuk kanë bërë asnjë njoftim për ndërprerje në lidhje me atë datë.
Madje, Buzhala thotë se portali e ka marrë një njoftim që KEDS-i e kishte lëshuar për datën 30 dhjetor 2022.
“Për njoftimin tuaj ata i janë referuar një njoftimi që e kemi bërë për datën 30.12.2022. Por, edhe aty ka huqje, pasi që nuk është komunikatë, por njoftim i përditshëm që ne ua bëjmë konsumatorëve. Aty jo vetëm që nuk përfshihet e tërë Kosova, por nuk janë as 1% e konsumatorëve”– ka treguar Buzhala.