schema:text
| - Video me pretendime të rreme për hemorroidet dhe kancerin
Deklarata
Shpëtoni nga hemorroidet për 24 orë! Pa operacion dhe me rezultate të garantuara… Hemorroidet në 79% të rasteve shkaktojnë kancer dhe vdekje!
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “Shpëtoni nga hemorroidet për 24 orë! Pa operacion dhe me rezultate të garantuara… Hemorroidet në 79% të rasteve shkaktojnë kancer dhe vdekje!”- është e rreme. Në këtë video janë bërë pretendime të rreme se hemorroidet shkaktojnë kancer dhe vdekje. Gastrologu Skender Telaku ka thënë se është pretendim i rremë që hemorroidet shkaktojnë kancerin. Sipas tij, çdo e dyta gjakderdhje nga zorra e trashë është hemorroid, por, edhe çdo e dyta gjakderdhje mund të mos jetë hemorroid, dmth mund të jetë fisurë apo e qarë e zorrës, mund të jetë kancer i zorrës së trashë.
Artikulli
Më 31.12.2024, faqja në Facebook WebMagic (arkiva) ka shpërndarë një video në të cilën pretendohet se hemorroidet mund të shërohen për vetëm 24 orë.
“Shpëtoni nga hemorroidet për 24 orë! Pa operacion dhe me rezultate të garantuara”- shkruan në përshkrimin e kësaj videoje.
Në video pretendohet se flet një pacient i cili e ka përdorë dhe e rekomandon një kremë të caktuar.
“A keni hemorroide të dhimbshme? Të jetosh me hemorroide ishte një makth i pashpirt, një makth i pafund, frustrim dhe humbje shprese. Provova të gjitha trajtimet që më vinin në mendje dhe që ishin tepër të shtrenjta. Receta dhe vizita të dhimbshmete mjeku, por asgjë nuk funksiononte. Sa mirë që gjeta kremën e vërtetë për hemorroide: protex. Jo vetëm që i trajton simptomat në çast, duke ofruar lehtësim të menjëhershëm nga dhimbja dhe djegia e vazhdueshme, por gjithashtu parandalon rikthimin e tyre. Kjo kremë depërton thellë në lëkurë, vepron mbi nyjet e hemorroideve dhe tkurr enët e gjakut. Për rezultate të shpejta dhe të dukshme, duke trajtuar shkakun rrënjësor të problemit, madje proktologu im ma rekomandoi. Mijëra njerëz e kanë provuar. Lehtësim të ndjeshëm nga dhimbja dhe djegia pas vetëm një aplikimi. Kam provuar praktikisht gjithçka, por kjo kremë ndihmon më mirë.”- thuhet në këtë video.
Në këtë video është vendosur një mbishkrim që thot “Hemorroidet në 79% të rasteve shkaktojnë kancer dhe vdekje!”.
Për të verifikuar këto pretendime Krypometër ka kontaktuar me gastrologun Skender Telaku.
“Kjo nuk është aspak e vërtetë.”- ka thënë Telaku kur është pyetur nëse hemorroidet shkaktojnë kancer.
Gastrologu Skender Telaku ka thënë se hemorroidet janë formacione normale te secili njeri, por kur shkaktojnë gjakderdhje atëherë ato paraqesin patologji.
“Një ndër patologjitë më të shpeshta janë hemorroidet. Çdo e dyta gjakderdhje nga zorra e trashë është hemorroid, por edhe çdo e dyta gjakderdhje mund të mos jetë hemorroid, d.m.th. mund të jetë fisurë apo e qarë e zorrës, mund të jetë kancer i zorrës së trashë.”- ka thënë Telaku.
Ai ka thënë se trajtimi i hemorroideve bëhet në disa mënyra, bazuar në shkallën e tyre.
“Duhet këta pacientë të mos bëhen kaps. Të përdorin ilaçe për të dalë ‘jashtë’. Nëse s’kemi zbuluar asgjë, sepse dikush e ka zorrën shumë të gjatë, atëherë duhet të kemi një qasje tjetër. Por, nëse flasim për hemorroide, ka disa shkallë të trajtimit të tyre. Nëse edhe me dietë pacienti ka ende gjakderdhje, është lidhja e hemorroideve, ku vendosen llastiqe të posaçme, nëse nuk ka sukses as me këto, atëherë duhet të shkojmë me metoda tjera apo me kirurgji.”- ka thënë tutje Telaku.
Ai ka thënë se është esenciale që secili pacient të këshillohet me doktorë, sepse gjakderdhja nuk do të thotë me automatizëm se kemi të bëjmë me hemorroide.
Kirurgu abdominal, Valon Zejnullahu ka thënë se trajtimi nuk duhet të bëhet pa konsultë me mjekun.
“Trajtimi i hemorroideve nuk guxon të bëhet pa konsultën e mjekut nga fusha përkatëse (gastroenterologu ose kirurgu abdominal), për shkak se mund të ketë edhe patologji tjera në këtë regjion, si tumoret anorektale, fistullat, fisurat apo edhe sëmundjet inflamatore.”- ka thënë ai.
Sipas tij masat parandaluese si dieta dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë trajtimi më i mirë për të parandaluar hemorroidet.
“Në rastet me manifestim klinik, opsionet e trajtimit varen nga lloji dhe ashpërsia e hemorroideve, preferencat e pacientit dhe ekspertiza e mjekëve. Pavarësisht përparimeve diagnostike e terapeutike, dhimbja pas procedurës e rikthimi i sëmundjes mbeten sfida në trajtimin e hemorroideve.”- ka thënë Zejnullahu.
|