Rrena se Naim Abazi ka deklaruar se Burdushi ia ktheu lumturinë
Deklarata
Naim Abazi: Dijetari Burdushi ishte ai qe ma kthej lumturine e jo tjert
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Naim Abazi: Dijetari Burdushi ishte ai qe ma kthej lumturine e jo tjert” është i rremë. Këngëtari Naim Abazi ka thënë se nuk ka bërë deklarime të tilla as për Hysni Peqanin e as për humanistin Halil Kastrati.
Artikulli
Më 27 korrik 2023, faqja “Lajme In” ka publikuar një artikull me titull “Naim Abazi: Dijetari Burdushi ishte ai qe ma kthej lumturine e jo tjert’.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqet “Albagraph7”, “Lexo Lajme”, Lajmi1.com, Lajmi Press, Rubikon dhe në faqen e internetit viraln32.com.
Ky lajm thotë se këngëtari Naim Abazi ka reaguar ndaj njerëzve që e përkrahin humanistin Halil Kastrati dhe e kritikojnë “mjekun popullor” Hysni Peqani i njohur me nofkën Burdushi.
Pas kësaj fjalie janë vendosur disa pika e më pas është thënë: “Ndiqeni videon për të kuptuar se për cfarë bëhet fjalë: Ju ftojmë të hapni marketingun për pak sekonda dhe shfaqen pamjet ekskluzive… LEXO MË TEPËR DUKE E HAP REKLAMEN”.
Krypometri ka kontaktuar Naim Abazin për këtë rast, i cili e ka mohuar të ketë thënë diçka të tillë.
Abazi ka thënë se artikulli është i rremë, pasi nuk ka bërë deklarime të tilla as për Halil Kastratin e as për “mjekun popullor” Hysni Peqani.
“Nuk flas unë gjera të tilla”– ka thënë Abazi.