schema:text
| - Rrena për dënimin e ish-presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale me 45 vjet burg
Deklarata
Del vendimi për Hashim Thaçin nga gjykata hages 45 vjet burg
Vlerësimi
Rrenë
Informacioni me titull “Del vendimi për Hashim Thaçin nga gjykata hages 45 vjet burg” është i rremë. Gjykata Speciale ka thënë se nuk e kanë dënuar ish-presidentin Hashim Thaçi me 45 vjet burg dhe se gjykimi ndaj tij është duke vazhduar.
Artikulli
Më 16.02.2024, faqja në TikTok, “Syri_Blu_”(arkiva), ka publikuar një video të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me mbishkrimin “Del vendimi për Hashim Thaçin nga gjykata hages 45 vjet burg”.
Faqja pretendon se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar nga Gjykata Speciale me 45 vite burgim.
Krypometër ka kontaktuar me Dhomat e Specializuara për të verifikuar nëse është marrë një vendim i tillë.
Në një përgjigje për Krypometër, më 22.02.2024, Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk është shqiptuar ndonjë dënim në rastin e Thaçit.
“Nuk është e vërtetë që një aktgjykim është shqiptuar në rastin Thaçi. Nuk është shqiptuar as një aktgjykim dhe as një dënim. Gjyqi i Thaçit dhe të tjerëve është ende në fazën e gjykimit. Prokuroria aktualisht po prezanton rastin dhe thërret dëshmitarët dhe vlerëson se do të përfundojë prezantimin e çështjes në prill të vitit 2025. Pas kësaj, ekipet e mbrojtjes do të kenë mundësinë të paraqesin rastet e tyre”- thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.
Tutje në përgjigjen e Gjykatës Speciale thuhet se “të gjithë të akuzuarit presumohen të pafajshëm nëse nuk provohet fajësia përtej një dyshimi të arsyeshëm”.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22.02.1999. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17.11.2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014.
Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.
Më 03.04.2023 ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.
Që viti 2020, Thaçi është duke u mbajtur në paraburgim. Më 22.02.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar se ua ka vazhduar paraburgimin ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
|