schema:text
| - Lajmi i rremë për deklaratën e Arben Gashit
Deklarata
Po ta kisha lapsin e popllit në dorë më parë e dota votoja Listen Serbe sesa VV-në
Vlerësimi
Rrenë
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi nuk ka thënë asnjëherë nuk ka deklaruar se “Po ta kisha lapsin e popllit në dorë më parë e dota votoja Listen Serbe sesa VV-në”. Gashi e ka përgënjeshtruar këtë dhe ka thënë se postime të tilla po bëhen me qëllim të dëmtimit të reputacionit të tij. Gashi që nga viti 2010 është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe vazhdimisht nëpër fushata zgjedhore ka bërë thirrje që të votohet kjo parti. Ai është një nga deputetët më të zëshëm në Kuvendin e Kosovës.
Artikulli
Më 26 janar 2024, në grupin në Facebook “Sanxhaku i Nishit – Medvegja, Bujanoci e Presheva” (arkiva) është shpërndarë një fotografi në të cilen shihet shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Fotografia mban një mbishkrim në të cilin pretendohet se Gashi ka thënë “Po ta kisha lapsin e popllit në dorë më parë e dota votoja Listen Serbe sesa VV-në”.
Për të verifikuar deklaratën, Krypometër ka kontaktuar me deputetin Gashi, i cili ka sqaruar se nuk ka dhënë ndonjëherë ndonjë deklaratë të tillë.
“Është i rremë. Të tilla si këto i qarkullojnë grupe të LVV-së me qëllim të dëmtimit të reputacionit tim. Këtë [postimin në fjalë] e qarkullon LVV në grupet e veta qe 4-5 vite”- ka deklaruar Gashi për Krypometrin.
Arben Gashi është kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është pjesë e parlamentit që nga viti 2010, ndërsa partia Lista Serbe për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2014.
Deputeti Gashi është një nga deputetët më të zëshëm të Kuvendit.
KALLXO.com ka nxjerrë statistikat e folësve nga deputetët përmes transkriptave të seancave të Kuvendit të Kosovës, në të cilat ka gjetur se shefi i GP të LDK-së, gjatë vitit 2023 mori fjalën 111 herë në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.
Edhe pse në postim pretendohet se Gashi ka thënë “po ta kisha lapsin e popllit në dorë më parë e dota votoja Listen Serbe sesa VV-në”, Krypometër duke kërkuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka verifikuar se Gashi që nga viti 2010 ka garuar vetëm si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Gashi ka marrë pjesë vazhdimisht nëpër debatet televizive parazgjedhore, duke bërë thirrje që të votohet Lidhja Demokratike e Kosovës (shiko këtu, këtu dhe këtu).
Bazuar në rezultatet e publikuara në faqen e Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve, Gashi ka fituar 10 mijë e 390 vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Nga viti 2010 deri në 2014, ai ka qenë kryetar i Komisionit për Legjislacion; nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë anëtar i Komisionit për Integrime Europiane.
Aktualisht ai është anëtar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
|