schema:text
| - Mbishkrimi i rremë se Gjermania merr në mbrojtje ushtarake Kosovën
Deklarata
Trembet Serbia! Gjermania merr në mbrojtje ushtarake Kosovën
Vlerësimi
Me kos
Mbishkrimi i vendosur në kronikën televizive “Trembet Serbia! Gjermania merr në mbrojtje ushtarake Kosovën” është i rremë. Kronika televizive e prodhuar nga Euronews Albania nuk përkon me mbishkrimin që pretendon se Gjermania e ka marrë në mbrojtje Kosovën. Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se Gjermania këtë vit do të dërgojë më shumë ushtarë në kudër të KFOR-it, por kjo është bërë në përputhje me procedurat e NATO-së. Edhe vendimi i Parlamentit të Gjermanisë flet për mandatin e ushtarëve gjermanë në KFOR dhe nuk ka të bëjë me ndonjë vendim tjetër që Gjermania të merrë nën mbrojtje Kosovën. Ministria e Mbrojtjes së Kosovës kanë thënë se Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it që nga viti 1999.
Artikulli
Më 28.06.2024, një profil në Facebook ka publikuar (arkiva 1, 2 dhe 3) një video me mbishkrimin “Trembet Serbia! Gjermania merr në mbrojtje ushtarake Kosovën”.
Krypometër e ka analizuar videon e publikuar, në të cilën është lajmi për vendimin e Bundestagut që ushtria gjermane të vazhdojë edhe për një vit participimin në Misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR.
Krypometër ka gjetur në ‘Youtube’ kronikën origjinale të televizionit të Shqipërisë “EuroNews Albania”, e cila është publikuar në këtë kanal me mbishkrimin “Trembet Serbia! Gjermania merr në mbrojtje ushtarake Kosovën”. Megjithatë, në kronikën e publikuar në kanalin e këtij televizioni në Youtube, në asnjë vend nuk thuhet se Gjermania ka marrë në mbrojtje Kosovën.
Kronika e mediumit Euronews flet për vendimin e Parlamentit Gjerman që është marrë më 27.06.2024 për të zgjatur mandatin e ushtarëve gjerman të KFOR edhe për një vit tjetër.
Krypometër ka kërkuar sqarime nga Ministria e Mbrojtjes në Kosovë dhe nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë, nëse shteti gjerman ka marrë në mbrojtje ushtarake Kosovën.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se postimi nuk përkon me mbishkrimin dhe ka sqaruar se bëhet fjalë për vendimin e Bundestagut gjerman që të zgjasë mandatin e trupave gjermane në kuadër të KFOR-it edhe për një vit.
“Që nga viti 1999, Bundeswehr-i është pjesë e KFOR-it, duke e bërë këtë operacionin më të gjatë në historinë e Ushtrisë Gjermane. Është praktikë e qeverisë gjermane që çdo vit ta paraqesë mandatin për rishikim dhe miratim në parlament për të siguruar një proces demokratik dhe transparent”- ka thënë për Krypometër Liridona Gashi, këshilltare politike në Ministri të Mbrojtjes.
Gashi thotë se pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023, është bërë e qartë domosdoshmëria e pranisë së trupave të KFOR-it dhe e Bundeswehrit në Kosovë.
“Sigurisht pas sulmit terrorist në Banjskë të mbështetur nga strukturat e Serbisë, është bërë e qartë domosdoshmëria e pranisë së trupave të KFOR-it dhe e Bundeswehrit në Kosovë, e sidomos është i rëndësishëm reagimi i tyre me kohë si dhe bashkëpunimi me institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës”- ka theksuar ajo.
Nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë shpjeguar se këtë vit, shteti gjerman është zotuar me më shumë ushtarë nëj KFOR në krahasim me vitet e kaluara dhe kjo ka ndodhur në koordinim me NATO-n.
“Këtë vit, Gjermania është zotuar me më shumë ushtarë ndaj KFOR-it se në vitet e kaluara. Kjo ka ndodhur në përputhje me procedurat e NATO-s dhe në koordinim me vendet e tjera kontribuuese të trupave. Për këtë rritje të ushtarëve gjermanë në Kosovë kemi postuar edhe në kanalet tona sociale”- thuhet në përgjigjen e ambasadës Gjermane në Kosovë për Krypometër.
Edhe në faqen zyrtare të Budestagut gjerman shpjegohet operacioni i KFOR-it të Bundeswehr-it në Kosovë, mirëpo askund nuk përmendet se Gjermania ka marrë në mbrojtje ushtarake Kosovën.
Operacioni i KFOR-it të Bundeswehr-it në Kosovë u miratua për herë të parë nga Bundestagu më 11.06.1999.
“Edhe pse gjendja e sigurisë në Republikën e Kosovës vlerësohet kryesisht si e qetë dhe stabile, situata e sigurisë në veriun me shumicë etnike serbe të vendit është karakterizuar me tensione në rritje që nga viti 2022. Në veçanti, pati përleshje të dhunshme në maj të vitit 2023, në të cilat u plagosën shumë ushtarë dhe civilë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë. Tensionet politike vazhduan në fillim të vitit 2024”- thuhet në ueb faqen e Budestagut.
Bundestagu thot se prioritetet e angazhimit bilateral të Qeverisë Federale në marrëdhëniet me Kosovën mbeten stabilizimi politik, kushtetues dhe ekonomiko-social, mbështetja për afrimin me BE-në dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi.
Qeveria Federale mbështet krijimin dhe forcimin e strukturave të sigurisë të qëndrueshme, të kontrolluara në mënyrë demokratike dhe etnikisht gjithëpërfshirëse në Kosovë, duke përfshirë kontrollin e fortë parlamentar dhe politik të organeve të sigurisë.
Zgjatja e fundit e mandatit nga Bundestagu gjerman u bë më 27.06.2024 dhe parashikon dislokimin e 400 ushtarëve shtesë. Dislokimi në parim është i pakufizuar në kohë, por qeveria federale siguroi në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme më 07.06.2000 se do ta referonte çështjen në Bundestagun gjerman çdo dymbëdhjetë muaj për vazhdimin e mandatit.
Mandati i NATO-së në Kosovë caktohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
Në rezolutën 1244 thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre.
NATO ka udhëhequr një operacion për mbështetjen e paqes në Kosovë që nga qershori 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në zonë.
Pas sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999 kundër Jugosllavisë, është arritur Marrëveshja Teknike Ushtarake që ndryshe njihet si marrëveshja e Kumanovës. Marrëveshja është nënshkruar në mes të NATO-së dhe Qeverive të Jugosllavisë e Serbisë.
Marrëveshja ndër të tjera parashihte që Serbia të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova dhe vendosja e forcave paqëruajtëse të NATO-s (KFOR).
|