schema:text
| - Rrena se aktori Van Damme është bërë mysliman
Deklarata
Pse Van Dam u bë mysliman
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli i publikuar më 21 gusht në portalin monitor.mk, bota islame dhe në disa portale e faqe online me titullin “Pse Van Dam u bë mysliman”, është i rremë pasi nuk ka të dhëna që do mund të faktonin këtë pretendim. Shkrimi që po qarkullon në një faqe të Facebook me një citim të kinse Van Damme të ketë deklaruar se është konvertuar në këtë religjion, nuk është faktuar nga ndonjë burim kredibil. Ky citat nuk është konfirmuar asnjëherë nga aktori dhe i njëjti nuk mund të haset në internet. Për më tepër, i njëjti artikull ri-publikohet kohë pas kohe, që nga viti 2015.
Artikulli
Më 21 gusht portale si monitor.mk, bota islame, publikuan një lajm me titull “Pse Van Dam u bë musliman”, duke u bazuar në një shkrim të shpërndarë nëpër faqe të Facebook-ut me një citim që pretendohet ta ketë thënë Van Damme si në vijim:
“Pasi u konvertova në Islam, nuk mora asnjë ofertë pune nga regjisorët…Por kjo nuk është e rëndësishme. Besoj se mora rolin e duhur në testin e Kozmosit. Nuk jam penduar as edhe njëherë, sepse besoj në Allah”.
Ky shkrim ishte shpërndarë edhe më herët në faqe në Facebook si: radiometropol, expuls.mk, televizioni supersky, botaelire, radiokontakt.al.
Në të dhënat në internet nuk është gjetur asnjë raportim apo provë që Van Damme ka dhënë ndonjë deklarim të tillë.
Citimi për të cilin pretendohet të jetë thënë nga Van Damme dyshohet se është marr nga një intervistë e tij në vitin 2016 në transmetuesin egjiptian MBC Masr.
Në intervistë, Damme fliste për ushqimin e shëndetshëm si këshillë për të rinjtë që e duan sportin, aty ai kishte thënë që të merren mësime nga Profeti Muhamed për përzgjedhjen e ushqimit:
“Perime, humus, të gjitha ushqimet e mira arabe, Lindja e Mesme, si në kohët e vjetra. Ashtu si te muslimanet; Bukë, bajame, mollë. Shkoni, lexoni, lexoni, zbuloni muslimanin e shumë gjëra të mira. Profeti Muhamed ishte shumë i zgjuar. Ai e dinte se çfarë është e mirë për të ardhmen, për trupin, kështu që shikojeni atë”, kishte deklaruar Damme.
Në intervistë nuk përmendet në asnjë vend që ai është bërë myslimam, derisa në internet nuk ka deklarime të Van Damme lidhur me fenë islame apo konvertimin e tij në këtë religjion.
I njëjti pretendim për ndryshim të fesë nga aktori ka qarkulluar edhe në gjuhën angleze, por verifikuesit e fakteve Full Fact, kanë konstatuar se një pretendim i tillë është i rremë.
Jean Claude Van Damme ka lindur në Belgjikë dhe është rritur si besimtar i fesë së krishterë, derisa gjyshja e tij (nga babai) ishte hebreje.
|