schema:text
| - Pretendimi i rrejshëm për shërim të nyjeve
Deklarata
Ndalo t’i shkatërrosh gjunjët me operacione dhe injeksione! Për të riparuar nyjet, ju duhet
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Ndalo t’i shkatërrosh gjunjët me operacione dhe injeksione! Për të riparuar nyjet, ju duhet…👇”- është i rremë. Në këtë postim nuk është dhënë asnjë informacion se si mund të riparohen e të shërohen sëmundjet që prekin nyjet. Ndërkohë ortopedi Zukë Xani thot se trajtimi i nyjeve të dëmtuara është kompleks dhe në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion. Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
Artikulli
Më 15.01.2024, faqja në Facebook Healthylive.mk (arkiva) ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se mund të shërohen të gjitha sëmundjet që prekin nyjet.
“Ndalo t’i shkatërrosh gjunjët me operacione dhe injeksione! Për të riparuar nyjet, ju duhet…👇”- thuhet në këtë artikull.
Në këtë postim është bashkangjitur një infografikë. Thuhet se artikullin duhet ta lexojnë ata që që vuajnë nga dhimbjet e gjunjëve dhe nyjeve. Krypometër ka klikuar në artikullin e bashkangjitur, mirëpo në uebfaqen hkol.themaxpulse.com (arkiva) nuk ka ndonjë informacion për shërim të nyjeve, si paralajmërohet në faqen në Facebook Healthylive.mk (arkiva).
Në faqen hkol.themaxpulse.com (arkiva) janë publikuar disa informata rreth përfitimeve që sjellin ushtrimet.
Krypometër ka kontrolluar informacionet për faqen në Facebook Healthylive.mk (arkiva), e cila rezulton se është krijuar më 09.12.2024 dhe menaxhohet nga persona të panjohur nga Maqedonia e Veriut.
Për të kuptuar më shumë rreth këtij produkti që nuk po i përmendet as emri, Krypometër u ka dërguar pyetje kësaj faqeje, mirëpo ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Si trajtohen nyjet?
Tutje, Krypometër ka kontaktuar me ortopedë e reumatologë për të kuptuar nëse mund të shërohen nyjet duke përdorë një supliment.
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje, pra çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat.”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka shpjeguar se secili ilaç që konsumohet ka efekte anësore, prandaj është e nevojshme që çdo profesionist shëndetësor të bëjë përshkrimin e tyre, në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet e tjera përcjellëse, që mund të ketë ai.
“Çdo ilaç duhet të ketë përshkrimin, me Ligje e Rregullore shëndetësore, edhe për efektet anësore. Çka mundet me ba dëm, sepse çdo ilaç ka efekte anësore. Nuk ka ilaç pa efekte anësore, prandaj ne i dallojmë ku dhe kur me i dhanë. Nëse një person ka edhe probleme shëndetësore të natyrave të tjera në të njëjtën kohë, ne zgjedhim ilaçe që nuk shkaktojnë probleme p.sh. në lukth. Për këto barna duhet bërë një hulumtim, duhet të ndërmarrë masa shteti.”- ka thënë Kryeziu.
Trajtimi i këtyre sëmundjeve, sipas tij bazohet në tri fusha kryesore. Tutje, ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit. Në grupin e dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhës së sëmundjes ose e ndalë avancimin e saj. Kurse, në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
“Diagnostifikimi kalon në disa drejtime: analizat, serologjia, rezonanca, ultrazëri, etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokoleve të cilat nuk i kemi shpikë ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës. Tash, disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze, e pastaj fizioterapi. E një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia.”- thot Kryeziu.
Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thot se është esenciale që secili ilaç apo suplement të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin, etj., pasi ka parë postime të rreme, të cilat u japin shpresa qytetarëve për shërim të sëmundjeve.
Shaban Berisha ka dhënë sqarime për këtë sëmundje në një postim në profilin (arkiva) në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet, si dhe në prekje të organeve të trupit.
Ndërsa, ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra-artikulare, fizioterapisë e deri në intervenimin kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- tha Xani për Krypometër.
|