Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Rrena se në veri ka të plagosur nga grupet ekstremiste serbe
Deklarata
“Në veri të Kosovës ka të plagosur nga grupet ekstremiste serbe”
Vlerësimi
Rrenë
Informacioni i shpërndarë në rrjetin social “Tiktok” nga faqja “UÇK ma thojnë emrin” se në veri të Kosovës ka të plagosur nga grupet ekstremiste serbe dhe të shtëna është i rremë. Në veri të Kosovës nuk është raportuar për ndonjë të plagosur më 24 prill 2023, në kohën kur është bërë ky postim. Policia e Kosovës nuk ka lëshuar asnjë njoftim për ndonjë incident të armatosur në atë zonë.
Artikulli
Më 24 prill 2023, faqja “UÇK ma thojnë emrin” ka shpërndarë një informacion, i cili thotë se në veri të Kosovës ka të plagosur nga grupet ekstremiste serbe.
“O Zot ruaji djemtë tanë në veri të Kosovës, që sapo na lajmëruan se ka të plagosur nga grupet ekstremiste serbe, ende po vazhdojnë të shtënat” – është shkruar mbi një fotografi të disa policëve.
Ky informacion nuk është i vërtetë. Policia e as ndonjë institucion tjetër i Kosovës nuk ka raportuar për asnjë të shtënë apo plagosje në veri të Kosovës atë ditë. Njëjtë, një raportim të tillë nuk e kanë bërë as mediat shqiptare spo serbe.
Ky postim është publikuar një ditë pas zgjedhjeve të organizuara në katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
7 ekipe të KALLXO.com e kanë monitoruar nga afër procesin e votimit më 23 prill 2023 në katër komunat me shumicë serbe dhe kanë raportuar për çdo zhvillim. Në këto komuna nuk është raportuar për asnjë incident. Të njëjtën e kanë thënë edhe institucionet e rendit në Kosovë.