schema:text
| - Vaj guri dhe vaji i farës së zezë nuk e shëron diabetin
Deklarata
Un jam shëruar nga diabeti per 3muaj kam përdorur vajguri vajin e farës se zez bëra analizat jam shëruar 100:/: nga diabeti
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë postimi “Un jam shëruar nga diabeti per 3muaj kam përdorur vajguri vajin e farës se zez bëra analizat jam shëruar 100:/: nga diabeti”. Endokrinologu Bardhyl Gashi thot se diabeti është sëmundje kronike, andaj edhe nuk ka asgjë shkencore që e mbështet konstatimin se vaji i farës së zezë e shëron këtë sëmundje. Ai ka thënë se konsumimi i vajit të gurit shkakton efekte anësore nëpër organet ku kalon, si gojë, ezofag apo lukth. Endokrinologu Adem Rama thot se secili pacient duhet të konsultohet me specialistët e fushës dhe se vonesa në trajtimin e duhur e kësaj sëmundjeje mund të shkaktojë komplikime të tjera shëndetësore.
Artikulli
Faqja në Facebook Sena bio (arkiva dhe arkiva), ka publikuar një video me anë të së cilës pretendohet se vaj guri dhe vaji i farës së zezë shërojnë diabetin.
“Un jam shëruar nga diabeti per 3muaj kam përdorur vajguri vajin e farës se zez bëra analizat jam shëruar 100:/: nga diabeti”- shkruan mbi këtë video.
E në postim thuhet se ofrohet për shitje vaji i gurit. Sena bio është hapur më 01.04.2024 dhe ka një numër kontakti të Shqipërisë, të cilëve Krypometri u ka dërguar pyetje rreth këtyre produkteve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij Krypometri.
Për të verifikuar pretendimet e bëra në këtë postim, se diabeti mund të shërohet duke konsumuar vaj të gurit, Krypometër ka kontaktuar me endokrinologun Bardhyl Gashi. Ai ka thënë se nuk ka asnjë bazë shkencore që mund të shërohet diabeti me këtë produkt.
“Diabeti është sëmundje kronike, andaj edhe nuk ka asgjë shkencore që vaji i farës së zezë shëron këtë sëmundje.”- ka thënë Gashi.
Gashi ka shtuar se pacientët që përdorin vaj guri mund të kenë efekte anësore në shëndetin e tyre.
“Unë në ato nuk besoj. Tu e ditë se vajguri ka disa efekte anësore. Ai kur merret ka me kalu nëpër gojë, nëpër ezofag, lukth e të tjera, domethënë shkakton efekte. Nuk dimë që ka ndonjë punim shkencor që është vërtetu se vajguri e mjekon diabetin.”- ka thënë Gashi.
Endokrinologu Adem Rama ka thënë se diabeti është sëmundje kronike te e cila faktori kryesor është komponenta gjenetike, pra, trashëgimia. Por, kjo sëmundje ka edhe shkaktarë të tjerë.
“Trashëgimia nuk mund të ndikohet. 75% të atyre me diabet të tipit 2 janë obezë. Pastaj, është ushqimi i shpejtë, duke mos harruar edhe stresin. Ne kemi vërejtur te popullata jonë që pas luftës, pacientët referojnë se nuk kanë askënd në familje me diabet, por atyre iu është paraqit sheqeri. Pra, edhe komponenta e stresit ka ndikim në paraqitjen e diabetit.”- ka thënë Rama.
Ai ka rekomanduar se secili pacient duhet të konsultohet me specialistët e fushës, në mënyrë që të marrë udhëzime të personalizuara për trajtim të diabetit. Rama ka alarmuar se pacientët që vonohen në trajtim të diabetit sipas udhëzimeve të profesionistëve shëndetësorë mund të kenë komplikime shëndetësore.
“Shkenca botërore perëndimore tregon që për diabet të tipit 1 gjithsesi duhet të merret insulinë. Tipi dy mund të trajtohet vetëm me tableta dhe përcjellje strikte. Më shumë te diabeti 1 për shkak të moshës së pacientit, që të mos kemi komplikime më vonë dhe normalisht edhe diabetin e tipit 2, që njihet se diabeti që lajmërohet në pleqëri. Humbja e kohës te diabeti kushton shumë.”- tha Rama.
Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se llogaritet që rreth 10% e qytetarëve të Kosovës janë të diagnostifikuar me diabet.
Sadiku ka thënë se diabeti është një sëmundje moderne pasi njerëzit jetojnë me të, mirëpo kërkohet të menaxhohet mirë duke e ndryshuar stilin e jetës, duke pasur aktivitete fizike dhe duke u kujdesur në ushqim.
“Sëmundja e diabetit mund të çojë një pacient deri në invalidim, mirëpo me një menaxhim të mirë, pacientët mund të jetojnë me diabetin edhe pa efekte anësore.”- ka thënë Sadiku në një intervistë të dhënë për Radio Plus.
|