schema:text
| - Pretendime të pabazuara rreth parazitëve në trup
Deklarata
SHENJA KRYESORE E INFEKTIMIT ME PARAZIT JANË PAPILLOMAT! LARGONI PREJ TYRE ME NDIHMEN E
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “SHENJA KRYESORE E INFEKTIMIT ME PARAZIT JANË PAPILLOMAT! LARGONI PREJ TYRE ME NDIHMEN E”- është i pambështetur në fakte. Në këtë postim, nuk janë ofruar dëshmi se si trajtohen parazitët e papillomat. Rexhep Morina, specialist i dermatologjisë ka thënë se trajtimi i papillomave është kompleks, pasi të njëjtat shkaktohen nga HPV (Human Papilloma Virus), që ka rreth 70 nëntipe. Për trajtimin e tyre nevojitet konsulta me specialistin, i cili mund të sugjerojë metoda e preparate të ndryshme si: kryotherapi (azot i lëngët), termokater, laser e preparate si: TCA, podophyllotoxin, imiquimod etj.”- ka thënë Morina për Krypometër.
Artikulli
Më 11.12.2024, faqja në Facebook Blanater (arkiva) ka publikuar një artikull për shërimin nga parazitët e papillomat.
“SHENJA KRYESORE E INFEKTIMIT ME PARAZIT JANË PAPILLOMAT! LARGONI PREJ TYRE ME NDIHMEN E ……:,- shkruan mbi infografikën e publikuar nga faqja Blanater (arkiva).
Kur klikon mbi këtë lajm, linku të dërgon tek uebfaqja medsite-gr.life, e cila nuk është e qasshme. Krypometër e ka verifikuar domenin e saj përmes platformës Whois dhe rezulton se medsite-gr.life është regjistruar më 05.11.2024.
Krypometër ka kontaktuar me Rexhep Morinën, specialist i dermatologjisë, i cili ka thënë se shkaktari i papillomave është HPV (Human Papilloma Virus) dhe se njihen më shumë se 70 nëntipe të këtij virusi.
Përshkrimi i barnave për trajtim të papillomave bëhet në varësi të nëntipit të këtij virusi.
“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të lythave të njohur si: verrucae vulgaris, genitalis (condylloma) dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohen me metoda e preparate të ndryshme si: kryotherapi (azot i lëngët), termokater, laser e preparate si: TCA, podophyllotoxin, imiquimod etj.”- ka thënë Morina për Krypometër.
UNICEF dhe IKSHPK (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës) kanë publikuar edhe artikuj, me anë të të cilëve kanë shpjeguar se çka është HPV dhe vaksina kundër këtij virusi.
Në Kosovë, që nga viti 2023, ka filluar të merret vaksina kundër HPV.
“Ekzistojnë më shumë se 200 lloje të HPV-së. Disa nga ato janë shumë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, përfshirë disa lloje të kancerit. Kanceri i qafës së mitrës është lloji më i zakonshëm i kancerit, i cili shkaktohet nga infektimi me HPV, por HPV gjithashtu mund të shkaktojë edhe kancerin anal, gjenital, si dhe kancerin e kokës e të qafës. HPV është infeksioni më i shpeshtë në botë i cili transmetohet seksualisht dhe kjo është arsyeja se pse është aq e rëndësishme që të vaksinohemi kundër HPV në moshë të re dhe para se të fillojë jeta seksuale.”- shkruan në artikullin e UNICEF.
Tutje, në këtë artikull të UNICEF thuhet se HPV përhapet nga personat të cilët e kanë virusin nëpërmjet kontaktit direkt me lëkurën apo lëngjet e trupit, ndërsa personi i infektuar mund ta bartë HPV te dikush tjetër edhe nëse vet nuk ka simptoma.
“HPV-ja kryesisht bartet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, me rreth 30 lloje të HPV-së që mund të barten përmes aktivitetit seksual. Kjo mund të ndodhë gjatë çfarëdo kontakti intim, si marrëdhënia seksuale vaginale, orale ose anale apo nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë edhe pa pasur marrëdhënie seksuale.”- thuhet në këtë artikull të UNICEF. Në këtë artikull po ashtu tregohet për efektet e vaksinës dhe grupet e qytetarëve të cilët rekomandohen të vaksinohen dhe ata të cilët nuk rekomandohen të vaksinohen.
|