schema:text
| - Videoja e manipuluar për spiunë e gazetarë
Deklarata
Një nga ekspertet e sigurisë në Kosovë, njoftoi se mund të jenë rreth 60 mijë rrjeti i spiunazhit serb në Kosovë, pra një ushtri e tërë
Vlerësimi
Rrenë
Videoja në të cilën shihet analisti Franko Egro duke thënë: “Një nga ekspertet e sigurisë në Kosovë, njoftoi se mund të jenë rreth 60 mijë rrjeti i spiunazhit serb në Kosovë, pra një ushtri e tërë”- është e manipuluar. Kjo video që zgjatë vetëm 9 sekonda është shkëputur nga emisioni Ballkan Talks dhe aty dëgjohet moderatori i këtij emisioni duke folur. Mbi këtë video është vendosur një tekst që thotë: “Spiunët e Serbisë: 70% e Gazetarve, 80% e hoxhallarve, 60% e politikaneve, 90% e ashkalive, Krejt klerikët ortodoks”- duke lënë të nënkuptohet se Egro e ka thënë këtë gjë. Por, Franko Egro ka thënë se postimi është i rremë.
Artikulli
Më 18.09.2024 një profil në Facebook ka publikuar një video (arkiva & arkiva & arkiva) të gazetarit nga Shqipëria, Franko Egro.
Ai në këtë video dëgjohet duke thënë: “Një nga ekspertet e sigurisë në Kosovë, njoftoi se mund të jenë rreth 60 mijë rrjeti i spiunazhit serb në Kosovë, pra një ushtri e tërë”- dëgjohet duke thënë Egro në këto 9 sekonda të videos.
Përderisa mbi video është i vendosur një shkrim që thotë se “Spiunët e Serbisë: 70% e Gazetarve, 80% e hoxhallarve, 60% e politikaneve, 90% e ashkalive, Krejt klerikët ortodoks”- duke lënë të nënkuptohet se Egro e ka thënë këtë gjë.
Krypometër ka kontaktuar analistin shqipëtar për të parë nëse ka thënë “Spiunët e Serbisë: 70% e Gazetarve, 80% e hoxhallarve, 60% e politikaneve, 90% e ashkalive, Krejt klerikët ortodoks”. Ai i ka mohuar pretendimet e tilla.
“Vetëm më vjen për të qeshur… absurditet më të madh nuk kam parë ndonjëherë”- ka thënë analisti Franko Egro për Krypometër.
Krypometër e ka pyetur Egron se në cilën intervistë që e ka bërë e ka përmend këtë detaj, por ai është përgjigjur “sinqerisht nuk më kujtohet ky detaj… por të gjitha emisionet e mia janë të publikuara në faqen e Euronews Albania”.
Krypometri ka gjetur emisionin e plotë të Ergos, i cili ishte realizuar para dy muajsh, të cilit i janë shkëputur 9 sekonda nga ky profil.
Me temën: Si do të zgjidhet konflikti Kosovë-Serbi, Franko Ergo në emisionin e tij ‘Ballkan Talks’, ku i ftuar ishte ish ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Dritan Demiraj, tha se: “Një ekspert i sigurisë në Kosovë, njoftoi se mund të jenë rreth 60 mijë rrjeti i spiunazhit serb në Kosovë, pra një ushtri e tërë”.
Pra në këtë intervistë Ergo nuk përmend askund gazetarët, hoxhallarët apo politikanët.
Franko Egro është autor i emisionit ‘Ballkan Talks’ që transmetohet në Euronews Albania dhe i njëjti ka realizuar emisione në të cilat është diskutuar për Kosovën dhe për situatën e sigurisë në Kosovë.
Franko Egro, në të kaluarën ishte kryeredaktor në Radio Televizionin Shqiptar dhe drejtor në ABC News.
Në videon e publikuar (arkiva & arkiva & arkiva) janë bashkangjitur edhe disa fotografi në fund, siç është njëra me gazetarin dhe pronarin e portalit ‘Nacionale’, Berat Buzhala me gazetarin Valon Syla, ngjitur me ta është edhe fytyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në këtë fotografi shkruan “Aleksander Vuçiq me bashkëpunëtorët Valon Syla dhe”.
Krypometri ka gjetur fotografinë origjinale në profilin në Facebook të Berat Buzhalës dhe aty janë bashkë me Ilir Mirenën e jo me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Po ashtu më poshtë shihet edhe një fotografi e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me deputetin dhe kryetarin e Partisë së Bashkuar Gorane, Adem Hoxha.
Më herët kjo fotografi është publikuar me pretedimet se Veseli është fotografuar me të dyshuarin kryesor në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, Millan Radoiçiq, mirëpo Krypometër e kishte verifikuar, pasi personi në fotografi është politikani nga komuniteti goran, Adem Hoxha.
“Ne këtë fotografi duket qartë që është kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli me deputetin Adem Hoxha. Montazha dhe aludimet shpifëse të kampanjave denigruese online duhet të ndiqen nga Departamenti i krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës”- kishte deklaruar zëdhënësi i PDK-s, Valmir Klaiqi për Krypometër rreth pretendimeve që Veseli ishte në këtë fotografi me Radoiçiqin.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli aktualisht po mbahet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në këtë video bashkangjitur shihet edhe fotografia e ish Presidentit të vendit, Hashim Thaçi me deputetin goran, Adem Hoxha.
|