schema:text
| - Njoftime mashtruese për banim në Kosovë
Deklarata
Lajmet e fundit, marrja e banesave në Kosovë është më e lehtë se sa mendoni! Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Lajmet e fundit, marrja e banesave në Kosovë është më e lehtë se sa mendoni! Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- është i rremë. Në Kosovë, nuk ka ndonjë thirrje të hapur për mundësinë e marrjes së banesave nga të gjithë qytetarët e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se njoftimi është i rremë. Qeveria e Kosovës ka hapur tenderin për ndërtimin e objekteve banesore, të cilat do t’iu shiten çifteve të reja, me çmime të përballueshme.
Artikulli
Më 30.10.2024, një faqe (arkiva) në Facebook ka publikuar një njoftim për qytetarët, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për banesa në Kosovë.
“Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
“Lajmet e fundit, marrja e banesave në Kosovë është më e lehtë se sa mendoni! Vendet janë të kufizuara, klikoni më poshtë për t’u regjistruar”- shkruan në infografikën e publikuar.
Kur klikon mbi këtë link, të dërgon tek uebfaqja foreclosedhome01.today (arkiva), e cila nuk ofron asnjë informacion rreth këtij aplikimi. Në këtë faqe, janë disa opsione në gjuhën angleze, të cilat nëse klikohen të dërgojnë te faqe të tjera (arkiva), që po ashtu nuk kanë të bëjnë asgjë me lajmin në Facebook.
Krypometri ka kontrolluar përmes platformës Whois domenin e uebfaqes foreclosedhome01.today, e cila rezulton se është regjistruar më 23.10.2024. Ndërsa, emrat e pronarëve nuk janë publik.
Për të verifikuar këtë njoftim, Krypometri ka kontaktuar zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka thënë për Krypometër se as Qeveria e Kosovës, as institucionet e tjera nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.
“I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes e të mos bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve. Si dhe, t’i përcjellin njoftimet nga faqet zyrtare të institucioneve të vendit.”- ka thënë Kryeziu.
Çfarë lehtësira ofrohen për banim në Kosovë?
Komunat e caktuara të Kosovës ofrojnë banime sociale, vetëm për familjet në nevojë apo raste të caktuara sociale. Komuna e Obiliqit ka ndarë disa banesa sociale për veteranë dhe invalidë nga kjo Komunë. Megjithëkëtë, veteranë dhe invalidë të UÇK-së ishin ankuar për ndarjen e këtyre banesave.
Më 05.04.2017, Komuna e Prishtinës kishte përfunduar ndërtimin e 100 banesave, të cilat u janë ndarë 50 përfituesve të banimit social, apo për shkak të gjendjes sociale e mungesës së strehimit që kanë. Ndërsa, 50 banesat e tjera ishte thënë se do të ndahen për kategoritë e dala nga lufta.
Qeveria e Kosovës siguron vendbanim edhe për azilkërkuesit, të cilët janë vendosur në një zonë të caktuar. Personat të cilët kërkojnë azil në Kosovë, qëndrojnë në Qendrën për Azil në fshatin Magurë, të Komunës së Lipjanit.
Lëvizja Vetëvendosje, më 05.02.2021, në emisionin “Debat Përnime” kishte premtuar se do të ndërtojnë 4 mijë banesa, të cilat do t’u ofrohen me çmime të përballueshme çifteve të reja. Ky premtim ishte futur edhe në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, megjithatë ende nuk është jetësuar.
Kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se do të mundësojnë banim të përballueshëm social për 4,000 familje, me skemat 120×120 dhe 150×150. Premtimi i Qeverisë Kurti ishte që çiftet e reja të mund të blejnë banesa, me çmime të përballueshme, me mundësi të pagesës deri në 150 muaj dhe më këste mujore deri në 150 euro në muaj.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte njoftuar se është hapur aplikimi për identifikimin e lokacioneve, për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë.
Më 09.02.2024, ai u kishte bërë thirrje Komunave që të aplikojnë në këtë thirrje, në mënyrë që të identifikohen lokacionet e duhura për këtë projekt.
Ndërkohë, më 16.02.2024, Aliu i kishte bërë të ditura kriteret për përcaktimin e lokacioneve, për ndërtimin e objekteve të banimit të përballueshëm, si dhe dokumentet e nevojshme për aplikim.
Në anën tjetër, një Marrëveshje, në vlerë 25 milionë euro, ishte nënshkruar më 25.01.2024, nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), Carlo Monticelli, sa i përket banimit të përballueshëm për familjet e cenueshme, të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm, në disa Komuna. Tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm kap vlerën mbi 38 milionë euro. Ndërsa, do të zbatohet në këto Komuna: Pejë, Gjilan, Podujevë e Istog.
|