Rrena se Fisnik Ismaili u gjet nën rrënojat e tërmetit në Turqi
Deklarata
Pas 11 ditësh nën rrënoja, grupet e shpëtimit nxjerrin të gjallë një kali në Turqi
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “Pas 11 ditësh nën rrënoja, grupet e shpëtimit nxjerrin të gjallë një kali në Turqi’ është i pasaktë. Krypometër ka verifikuar se personi i shpërfaqur në fotografi Fisnik Ismajli nuk ka qenë në Turqi dhe nuk është viktimë e tërmetit të shkurtit 2023 në Turqi.
Artikulli
Faqja e Facebook-ut, Krejt Shqiptare (arkiva), ka publikuar një fotografi në të cilën shihet ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fisnik Ismaili.
Në përshkrim të fotografisë thuhet “Pas 11 ditësh nën rrënoja, grupet e shpëtimit nxjerrin të gjallë një kali në Turqi”.
Materiali ka marrë 65 reagime në Facebook dhe mbi 10 komente të lexuesve.
Krypometër ka verifikuar këtë informacion. Fillimisht nëpërmjet makinës së kërkimit google Image është konstatuar se personi i paraqitur në fotografi është Fisnik Ismaili.
Fotografia e tij është përdorur në dhjetëra artikuj të mediave të vendit për të ilustruar qëndrimet dhe pohimet e tij.
Për të verifikuar tutje këtë informacion, Krypometër më 28.11.2023, ka kontaktuar me Fisnik Ismailin, i cili ka thënë se ky informacion është shpifje.
Ai ka thënë se ka vite që nuk qenë Turqi.
“Unë në shkurt të këtij viti nuk kam qenë në Turqi. Ka vite që nuk kam qenë atje. Kjo është një shpifje dhe abuzim i figurës sime publike”- ka thënë ai për Krypometër.
Turqia dhe Siria u prekën nga dy tërmete të mëdha më 6 shkurt 2023.
Si pasojë e këtyre tërmeteve, më shumë se 40 mijë njerëz kanë mbetur të vdekur.