schema:text
| - Mjalti mund të përmirësojë imunitetin, por nuk mund ta shërojë kancerin
Deklarata
Mjalti special antibakteriale vjen nga Zelanda e re, dhe perdoret per te kuruar shume semundje. Eshte 100% i çertifikuar. Perdoret per trajtimin plageve, ulçeres, semundjeve te stomakut dhe zorreve. Parandalimi dhe trajtimi i kancerit. Reduktimi i kolesterolit te larte, i diabetit. Trajtimi i infeksioneve te vesheve, syrit dhe te sinusit
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë pretendimi se “Mjalti special antibakterial” e bënë “parandalimin dhe trajtimin e kancerit”. Mjalti i njëjtë është në shitje online nga faqe të regjistruara në Britaninë e Madhe dhe në përshkrimin e këtij produkti nuk thuhet se i njëjti është e bën trajtimin e sëmundjes së kancerit. Në faqen zyrtare të mjaltit “Manuka Doctor” në përshkrimin e karakteristikave të kësaj mjalte thuhet se e njëjta përmban “antioksidantë natyralë dhe veti antibakteriale”, mirëpo në asnjë vend nuk thuhet se e njëjta e shëron kancerin. Onkologu Behar Raci thot se produktet bimore i rekomandojnë për imunitet, mirëpo jo si ilaç për kancerin. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thot se ka vetëm një mjekim për kancerin, ai i rekomanduar shkencërisht.
Artikulli
Më 13.11.2024, faqja në Threads chic_posh_london’ (arkiva) ka publikuar një artikull për një mjalt special i cili thuhet se përdoret për kurimin e shumë sëmundjeve, si dhe për parandalimin e trajtimin e kancerit.
“Mjalti special antibakteriale vjen nga Zelanda e re, dhe perdoret per te kuruar shume semundje. Eshte 100% i çertifikuar. Perdoret per trajtimin plageve, ulçeres, semundjeve te stomakut dhe zorreve. Parandalimi dhe trajtimi i kancerit. Reduktimi i kolesterolit te larte, i diabetit. Trajtimi i infeksioneve te vesheve, syrit dhe te sinusit”- shkruan në këtë postim.
Ky mjalt “Manuka Doctor” ka dalë në shitje online për një çmim prej 68 euro. Krypometër, përmes kërkimit të fotografisë së këtij produkti, ka gjetur sajtin zyrtar që bën shitjen e mjaltit “Manuka Doctor” për një çmim prej 42 funta (50 euro). Në përshkrimin e vetive të kësaj mjalte thuhet se e njëjta përmban “antioksidantë natyralë dhe veti antibakteriale”, mirëpo në asnjë vend nuk thuhet se e njëjta e shëron kancerin.
Për këtë pretendim Krypometri ka biseduar me shefin e Shërbimit të Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, Behar Raci, i cili ka thënë se produktet bimore i rekomandojnë për imunitet, jo për terapi.
“Të gjitha produktet bimore besohet se ndihmojnë sëmundjet imunitare dhe njëkohësisht rrisin mundësinë për të luftuar sëmundjet malinje, mirëpo ne i rekomandojmë ato për imunitet, e jo si terapi për kancer. Do të thot, përdoret për të rritur imunitetin, që në mënyrë indirekte mund të forcojë sistemin imunitar në luftë kundër sëmundjeve kanceroze.”- ka thënë Raci për Krypometër.
Onkologia Brunilda Profka Haxhiu ka thënë se nuk ka shumë njohuri për mjekësinë alternative dhe se për çdo gjë i referohet zbulimeve shkencore.
“Për çdo gjë duhet t’i referohemi hulumtimeve klinike me bazë shkencore. Ne i referohemi evidencës bazë dhe protokolleve që dalin prej studimeve të randomizuara, që janë mbi të gjitha.”- ka thënë Profka Haxhiu.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se ka vetëm një mjekim për kancerin, ai i rekomanduar shkencërisht.
“I vetmi mjekim për kancerin është mjekimi onkologjik i aprovuar dhe i rekomanduar nga protokollet klinike- shkencore për trajtimin e kancerit!”- ka thënë Kurtishi.
Krypometër ka biseduar edhe me onkologun tjetër të Klinikës së Onkologjisë, Destan Azemi. Ai ka thënë se kanceri është çrregullim i kodit gjenetik.
“Kanceri është çrregullim i kodit gjenetik. Këto kanë ndikim në imunitet. Është e vërtetë, por asesi s’mund të themi që ka mundësi të shërojnë kancerin sepse s’mund t’i rregullojë kodet gjenetike.”- ka thënë Azemi.
|