schema:text
| - Lajmi i rremë për armatimin e FSK
Deklarata
Përshkrimi i videos “Armatimi i ushtrisë së Kosovës, arrin në Kaçanik. Forca #Kosovë
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i videos “Armatimi i ushtrisë së Kosovës, arrin në Kaçanik. Forca #Kosovë” është i rremë. Ministria e Mbrojtjes ka thënë se në videon e publikuar nuk janë automjetet e FSK-së. Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR kanë thënë se në videon e publikuar në Facebook janë automjetet e KFOR-it gjerman që janë duke ardhur në Kosovë. Ndërmarrja Publike Trainkos e ka konfirmuar se kanë bartuar automjete të KFOR Gjerman.
Artikulli
Më 12.04.2024, faqja e Facebook-ut ‘Kaçaniku ME Rrethinë’ (arkiva), ka publikuar një video në të cilën shihen disa pajisje të rënda dhe makineri ushtarake.
Postimi mban përshkrimin “Armatimi i ushtrisë së Kosovës, arrin në Kaçanik. Forca #Kosovë”, përderisa në pamje shihen edhe disa automjete në të cilat kanë mbishkrimin “KFOR”.
E njëjta video është publikuar edhe në faqja ‘Kaçaniku 05’ (arkiva) dhe në grupin ‘DiasporameAlbinin” (arkiva).
Krypometër ka kontaktuar Ministrinë e Mbrojtjes për të sqaruar nëse Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me makineri, siç pretendohet në këto publikime.
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha për Krypometër, se ato mjete nuk janë të dedikuara për FSK-në dhe se ministria nuk ka realizuar ndonjë transport të kësaj natyre.
“Këto mjete nuk janë të dedikuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ne nuk kemi realizuar ndonjë transport të kësaj natyre. Duhet të kontrolloni nëse KFOR ka kryer ndonjë transport këto ditë”- ka konfirmuar ministri Maqedonci.
Më tej, Krypometër i është drejtuar edhe misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë, KFOR.
Nga KFOR kanë thënë se makineritë që shihen janë për njësitë shtesë gjermane që pritet të vendosen në Kosovë.
“Ne mirëpresim vendosjen e trupave shtesë gjermane në KFOR. Ardhja e këtyre njësive do të nxisë më tej forcën e KFOR-it dhe do të na lejojë të mbajmë një prani fleksibile, të adaptueshme dhe të dukshme në mbarë Kosovën dhe të vazhdojmë të përmbushim mandatin e misionit të OKB-së për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”- kanë thënë nga KFOR, në një përgjigje me email për Krypometër.
Ndërkaq, më 15.04.2024, Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A, bëri të ditur se transporti i kontejnerëve, pajisjeve të rënda dhe mjeteve ushtarake për nevojat e KFOR-it Gjerman është realizuar me sukses.
“Transporti i kontejnerëve, pajisjeve të rënda dhe mjeteve ushtarake për nevojat e KFOR-it Gjerman është realizuar transporti me sukses nga Trainkos Sh.A..”- thuhet në postimin e Trainkos.
Në tetor të vitit 2023, u paralajmërua se Gjermania, në prill të vitit 2024, do të dërgojë rreth 150 ushtarë në kuadër të misionit të NATO-së në Kosovë.
Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës vitin e kaluar, që u përcollën me protesta të dhunshme në të cilat u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.
Në anën tjetër, më 11.04.2024, pesë kamionë ushtarakë i janë shtuar Ushtrisë së Kosovës si donacion nga Gjermania. Përmes një ceremonie në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u bë pranim-dorëzimi i pesë kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde tha kamionët do të shërbejnë për logjistikën në regjimentet e FSK-së.
|