schema:text
| - Konjufca nuk ka thënë se marrëveshja e Ohrit parasheh Asociacion me kompetenca ekzekutive
Deklarata
WOW. Glauk Konjufca e pranon, marrëveshja e Thaçit për Asociacionin nuk ka kompetenca ekzekutive, marrëveshja e Ohrit e nënshkruar nga Kurti, PO!
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i videos i publikuar në Facebook “WOW. Glauk Konjufca e pranon, marrëveshja e Thaçit për Asociacionin nuk ka kompetenca ekzekutive, marrëveshja e Ohrit e nënshkruar nga Kurti, PO!”- është i rremë. Konjufca nuk ka thënë asnjëherë që marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013 ishte e mirë, por ai ka thënë se ajo ishte një marrëveshje ndërkombëtare që ishte obligim për Kosovën. Konjufca po ashtu nuk ka thënë se në marrëveshjen e Ohrit parashihet formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Ai kishtë thënë se Neni 7 i marrëveshjes së Ohrit është me mujtë Kosova- se dy pjesë janë këtu: njohja de facto edhe qeky Asociacioni, është me mujtë kurgjo pa e ngarku Kosovën, ma shumë se çka ka pranu Qeveria Thaçi në vitin 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhënë, për me arritë ti me e fitu njohjen de-facto. Ky na është dokë neve deal (ang: marrëveshje) i mirë”- pati deklaruar Konjufca në #KallxoPërnime.
Artikulli
Më 26.08.2024, fajqa e Facebook-ut Informacioni KTU (arkiva 1 dhe 2) ka publikuar një video-material, protagonist i së cilës është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Videoja fillimisht ishte publikuar nga NTV Televizion më 16.09.2024.
Në video-material pretendohet se Konjufca ka deklaruar se Marrëveshja e Parimeve Bazë të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në vitin 2013 nga ish-presidenti, në atë kohë kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, “ishte më e mirë”.
“WOë. Glauk Konjufca e pranon, marrëveshja e Thaçit për Asociacionin nuk ka kompetenca ekzekutive, marrëveshja e Ohrit e nënshkruar nga Kurti, PO!”- thuhet në përshkrimin e postimit.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër fillimisht ka kërkuar në internet nëse ndonjë media apo faqe zyrtare e institucioneve të Kosovës e ka publikuar ndonjë lajm apo citat të tillë të kryeparlamentarit, mirëpo në mediat në gjuhën shqipe nuk është hasur asnjë postim tjetër përveç atij të publikuar në faqen Informacioni KTU.
Tutje Krypometër e ka analizuar përmbajtjen e videos së publikuar në faqen Informacioni KTU dhe aty nuk është paraqitur ndonjë deklarim i Konjufcës që thotë se marrëveshja e nënshkruar nga Albin Kurti në Ohër parasheh kompetenca ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në këtë video vetëm tregohet për disa deklarata që gjoja kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka bërë për marrëveshjen e Ohrit dhe atë të nënshkruar në vitin 2013 nga Hashim Thaçi në kuadër të dialogut me Serbinë.
Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca rreth pretendimit që ai ka thënë “marrëveshja e Thaçit për Asociacionin nuk ka kompetenca ekzekutive, marrëveshja e Ohrit e nënshkruar nga Kurti, PO”.
Konjufca ka thënë për Krypometër se përgjigjen e plotë për Asociacionin e ka dhënë në emisionin #KallxoPërnime, në vitin 2023.
Krypometër, përmes kërkimeve në internet, e ka gjetur një intervistë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca të cilën e kishte dhënë në emisionin #KallxoPërnime më 15.09.2023.
Në këtë intervistë, ai kishtë thënë se Marrëveshja e Thaçit e vitit 2013 ishte e mirë, porse ajo ishte një obligim ndërkombëtar i Kosovës.
“Dy mundësi janë: të futet shteti i Kosovës në mohim të plotë të obligimeve ndërkombëtare edhe me thënë “ne po vazhdojmë rrugën tonë”, ose m`u mundu shteti i Kosovës të arrijë t’ia ndryshojë karakterin obligimit që e ka, pa e dëmtu shtetin e Kosovës. Me kryeministrin [Kurti] e kemi bisedu shumë gjatë këtë çështje, me orë e me ditë të tëra dhe kemi ardhë në përfundimin që më e mira është ky opsioni B se opsioni A”- ishte shprehur kryeparlamentari.
Në këtë intervistë Konjufca ka folur se si kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje të mirë, bazuar në rrethanat që janë krijuar pas marrëveshjes së vitit 2013.
“A e din se çka është kjo marrëveshja e Ohrit? Neni 7 i marrëveshjes së Ohrit është me mujtë Kosova- se dy pjesë janë këtu: njohja de facto edhe ky Asociacioni, është me mujtë kurgjo pa e ngarku Kosovën, ma shumë se çka ka pranu Qeveria Thaçi në vitin 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhënë, për me arritë ti me e fitu njohjen de-facto. Ky na është dokë neve deal (ang: marrëveshje) i mirë”- pati deklaruar Konjufca në #KallxoPërnime.
Kurse, më më 25.10.2023, Glauk Konjufca pati deklaruar se plani i ri i Bashkimit Europian për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe nuk kishte “kurrëfarë niveli të pushtetit”.
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor, por është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse do të duhet të propozohet një draft i Asociacionit, ai duhet të propozohet nga Kosova”- ishte shprehur kryeparlamentari.
Marrëveshjen e Ohrit, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia e kanë arritur vitin e kaluar, më 18.03.2023. Marrëveshja nuk është nënshkruar nga të dyja palët, por ndërmjetësi ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Marrëveshja bazë është bërë publike pas takimit të mbajtur më 27.02.2023.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015.
Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, Kushtetutën, duke thënë se duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.
|