schema:text
| - Pretendimi i rrejshëm se një ilaç shëron disa sëmundje
Deklarata
Nese i keni keto probleme si: fryrje barku, probleme me tretjen, kapsllek, hemoroide, lodhje, imunitet i dobet, pagjumsi, shendet te tepert, dhimbje koke, trupi
Vlerësimi
Me kos
Videon me mbishkrimin “Nese i keni keto probleme si: fryrje barku, probleme me tretjen, kapsllek, hemoroide, lodhje, imunitet i dobet, pagjumsi, shendet te tepert, dhimbje koke, trupi”- nuk është i bazuar në fakte të besueshme. Në këtë postim pretendohet pa fakte se një produkt mund të shërojë gjithë këto sëmundje. Gastrologu Arbër Veliu dhe gastroenterologu Dr. Remzi Berisha thonë se një produkt i vetëm nuk mund të shërojë të gjitha këto sëmundje. Proktologu Kushtrim Gashi ka thënë se nuk ka kremë që shëron hemoroidet e stadit 3 dhe 4.
Artikulli
Më 27.01.2024 një profil në Threads ka publikuar (arkiva) një video mbi të cilën shkruan se si mund të zgjidhet problemi me tretjen, kapsllëkun dhe hemorroidet.
Një video me përmbajtje të njejtë është publikuar edhe më herët nga po i njëjti profil.
“Nese i keni keto probleme si: fryrje barku, probleme me tretjen, kapsllek, hemoroide, lodhje, imunitet i dobet, pagjumësi, shendet te tepert, dhimbje koke, trupi”- shkruan mbi këto video.
Në këtë video rekomandohet një produkt i quajtur ‘Fitset’, i cili pretendohet se shëron krejt këto probleme shëndetësore.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për produkte dhe pajisje medicinale në Kosovë rezulton se produkti ‘Fitset’, nuk është në listën e produkteve me Autorizim Marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM)”.
Trajtimi i kapsllëkut
Krypometri ka pyetur gastrologun Arbër Veliun, nëse një produkt i vetëm mund të shërojë të gjitha këto sëmundje.
“Nuk ka shansa që një produkt i vetëm të ketë efekt tek të gjitha këto probleme shëndetesore. Janë reklama biznesi, nuk paska aty medikamente, thjeshtë bimore dhe askush nuk jep përgjegjësi veç shkruan diagnoza të ndryshme, tash krejt janë bo nutricista”- ka thënë Veliu.
Ndërsa ai ka folur edhe për trajtimin e kapsllëkut, duke thënë që nuk guxon që të arrihet me një konkluzion pa iu nënshtruar të gjitha kontrolleve mjekësore.
“Konstipacioni (kapsllëku) ka shumë faktorë, pa i kry gjitha vizitat tek mjeku nuk bën sepse mund të jetë konstipacion si pasojë e tumorit. Produktet që mund të ndihmojnë në këtë drejtim janë: misri, gruri, kumbulla, dardha etj..”- ka shtuar Veliu.
Krypometër ka kontaktuar edhe me gastroenterologun Dr. Remzi Berisha. Ai ka thënë se për problemet me zorrë rekomandohen dieta apo në rastet të caktuara edhe me ilaçe që janë pjesë e protokoleve.
“Brumërat (byrek, makarona, shpageta, buka e nxehtë, flija, picat), mishrat e fërguar (sa më rrallë, më tepër preferohet mish i zier), salcat e ndryshme, kripërat, ëmbëlsirat, djegës, pijet e gazuara, pijet energjike, alkooli, kafet e shumta. Këto janë ushqimet të cilat duhet t’i mënjanojmë sa më shumë që mundemi”- thotë Berisha për Krypometër.
Berisha ka shtuar se ka raste kur vjen deri te çrregullimi i florës normale të zorrës dhe grumbullimi i toksinave.
“Te rastet e këtilla, pra te konstipacioni, nëse me anë të ushqimit të rregullt nuk mundemi të pastrojmë zorrët mirë, atëherë veprohet me substanca medikamentoze që ndihmojnë në largimin e toksinave dhe njëkohësisht vendosjen e florës normale të zorrëve. Me vendosjen e florës normale të zorrëve dhe rregullimin e peristaltikës së zorrëve, atëherë vjen deri te largimi i toksinave nga zorrët dhe zakonisht pacienti e ndien veten më mirë. Sepse tek të gjithë pacientët ankesë kryesore është fryrja e barkut dhe konstipacioni”- ka thënë tutje Berisha.
Trajtimi i hemorroideve
Proktologu Kushtrim Gashi ka thënë se asnjë produkt që reklamohet nëpër rrjete sociale nuk mund t’i shërojë hemorroidet e stadit 3 dhe 4.
“Këto preparate nuk shërojnë asnjë hemoroid, këto preparate janë preparate simptomatike, lehtësojnë gjendjen, por nuk shërojnë. Jo vetëm ky, por të gjitha preparatet, s’ka preparate që i shëron hemoroidet e stadit 3 dhe 4… Janë sëmundje me predisponim trashëgues, mënyra jo e mirë e të ushqyerit (regjimi higjienodietetal). Herët ose vonë përfundojnë me operacion”- ka thënë Gashi për Krypometër.
|