schema:text
| - Video e manipuluar e anëtarit të ri të LDK-së, Lumbardh Salihu
Deklarata
Astrofizikanti i parë shqiptar, i diplomuar në AUK me master në Londër e doktoraturë në Nju Jork, i biri i akademik Minisit, doktor Fuka
Vlerësimi
Rrenë
Është e manipuluar videoja e prezantimit të aderimit të ri në LDK, Lumbardh Salihut, që pretendon se ai është prezantuar si “Astrofizikanti i parë shqiptar, i diplomuar në AUK me master në Londër e doktoraturë në Nju Jork, i biri i akademik Minisit, doktor Fuka”. Kur është prezantuar si aderim në LDK, Lumbardh Salihu është prezantuar si person nga diaspora që ka studiuar në Austri dhe që, në të kaluarën, ishte edhe futbollist aktiv. Lumbardh Salihu ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, vetëm tre muaj para Zgjedhjeve Parlamentare, që pritet të mbahen më 09.02.2025. Kandidat për Kryeministër nga radhët e LDK-së është kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Artikulli
Më 14.11.2024, faqja në Facebook ‘Politika Kosovare’ (arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumbardh Salihu.
Faqja pretendon se Salihu është prezantuar si “Astrofizikanti i parë shqiptar, i diplomuar në AUK me master në Londër e doktoraturë në Nju Jork, i biri i akademik Minisit, doktor Fuka”.
Për të verifikuar këtë video, Krypometër ka analizuar materialin në fjalë dhe ka vërejtur se zëri është shkëputur nga video me përmbajtje satirike nga grupi humoristik Stupcat, me emër “Stupcat 2012 – Fuka – Honoris Causa”.
Krypometër, më pas, ka gjetur videon origjinale të publikuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Video ishte publikuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më 24.10.2024, i cili e kishte prezantuar Lumbardh Salihun si anëtarin më të ri të LDK-së.
“Një vit më parë, ia fitoi zemrën Kosovës si fitues i Big Brother. Tani, ai po i bashkohet familjes sonë politike për të ardhmen e vendit që e do aq shumë. Mirë se erdhe në shtëpinë e vërtetë më të madhe në Kosovë, Lumbardh!”- thuhet në postimin e Abdixhikut.
Lumbardh Salihu ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës vetëm tre muaj para Zgjedhjeve Parlamentare, që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Kandidat për Kryeministër nga radhët e LDK-së është kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Lidhja Demokratike e Kosovës me Avdullah Hotin si kandidat për Kryeministër, në Zgjedhjet e fundit Parlamentare të mbajtura më 14.02.2021 kishte dalë e treta, duke marrë vetëm 12,64% të votave dhe duke siguruar 15 vende në Kuvend.
Pas rezultateve të vitit 2021, LDK-ja bëri reformë duke e zgjedhur një kryetar të ri, Lumir Abdixhikun. Në Zgjedhjet Lokale të mbajtura në fund të vitit 2021, LDK-ja arriti t’i fitojë 10 komuna.
Abdixhiku tashmë e ka prezantuar programin e tij, me të cilin do të garojë në Zgjedhjet e vitit 2025, të quajtur ‘Rruga e Re’.
Abdixhiku ka thënë se programi “Rruga e Re” ka tri shtylla kryesore: shuarja e polarizimeve brenda shoqërisë ndëretnike dhe me miqtë e Kosovës; e dyta, ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shtylla e tretë ka të bëjë me kthimin e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Lumbardh Salihu, i cili pritet të jetë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës, është bashkuar në Big Brother Kosova VIP 2 më 20.10.2023, ndërkaq më 3.2.2024, Salihu është shpallur fitues i atij edicioni.
|