schema:text
| - Kurti nuk ka thënë se BE-ja i ka premtuar Serbisë që nuk hapet ura e Ibrit
Deklarata
Bashkimi Evropjan ia ka premtuar sërbisë që nuk hapet ura ibër, prandaj tani të gjith më janë vërsulur mua, por unë nuk bëj pazare me teritor të Kosovës as me serbi e as me BE, ura ibër është në teritorin e Kosovës dhe vendimet për atë pjesë merren nga Qeveria e Kosovës, dhe hapja e urës është e mbaruar sa i përket Qeverisë së Kosovës, duan apo nuk duan
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që pretendon se kreministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “Bashkimi Evropjan ia ka premtuar sërbisë që nuk hapet ura ibër, prandaj tani të gjith më janë vërsulur mua, por unë nuk bëj pazare me teritor të Kosovës as me serbi e as me BE, ura ibër është në teritorin e Kosovës dhe vendimet për atë pjesë merren nga Qeveria e Kosovës, dhe hapja e urës është e mbaruar sa i përket Qeverisë së Kosovës, duan apo nuk duan”. Kryeministri Kurti nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë në asnjë prej deklarimeve apo postimeve që ai ka bërë në rrjetet sociale apo në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Edhe Këshilltari politik në Zyrën e Kryeministrit, Klisman Kadiu, ka thënë se kryeministri Kurti asnjëherë nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë.
Artikulli
Më 15.08.2024 faqja në Facebook Struga Post (arkiva) kanë publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një deklaratë të cilën pretendohet se e ka thënë ai.
Postimi shkruan “Bashkimi Evropjan ia ka premtuar sërbisë që nuk hapet ura ibër, prandaj tani të gjith më janë vërsulur mua, por unë nuk bëj pazare me teritor të Kosovës as me serbi e as me BE, ura ibër është në teritorin e Kosovës dhe vendimet për atë pjesë merren nga Qeveria e Kosovës, dhe hapja e urës është e mbaruar sa i përket Qeverisë së Kosovës, duan apo nuk duan, deklaroi kryeministri Kosovës Albin Kurti”.
I njëjti postim është bërë edhe në faqen Lajme Nga Bota (arkiva).
Krypometër ka analizuar deklarimet e kryeministrit Kurti, si dhe postimet në faqen e tij zyrtare në Facebook në lidhje me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim me vetura, por asnjëra nga to nuk përputhet me pretendimet e faqes.
Pretendimi është publikuar një ditë pas një adresimi të Kurtit në mbledhjen e Qeverisë, e mbajtur më 14.08.2024, por në atë deklarim Kurti nuk e kishte dhënë një deklaratë të tillë çfarë është publikuar në faqen Struga Post (arkiva).
Kryeministri kishte deklaruar se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qendrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat i kemi ndarë menjëherë me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutash dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”- shtoi ai.
Në anën tjetër, Kurti shtoi edhe se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet me partnerët.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale që do të thotë të hapura”- tha Kurti.
Krypometër gjithashtu ka kontaktuar me këshilltarin politik në Zyrën e Kryeministrit, Klisman Kadiu. Ai ka thënë se kryeministri Kurti asnjëherë nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë.
“Këto nuk janë citate të kryeministrit Kurti”- ka thënë Kadiu për Krypometër.
Kryeministri Kurti më datë 23.08.2024, priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns. Në këtë takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.
Ndërkaq, më 27.08.2024, Kurti tha se takimi me Burns ka shkuar “shumë mirë” dhe konsideron se vizita e tij “është dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të SHBA-së për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë”.
“Unë e falënderoj shefin e CIA-s, William Burns i cili vizitoi vendin tonë dhe kjo është edhe një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të SHBA-së për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”- ka deklaruar Kurti.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikada, të cila u larguan në vitin 2014.
Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe disa pemë.
Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi u largua në vitin 2015.
E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.
|