schema:text
| - Bajrami nuk ka kërkuar që t’iu ndahen para bizneseve
Deklarata
Sa i ndani nga 100 euro për fëmijë e pensionista, u dasht sikur Qeveria Hoti me ua nda Viva Fresh-it, Elkos-it e Devollit
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi që pretendon se deputetja, Hykmete Bajrami pas vendimit për shtesa ka thënë se “Sa i ndani nga 100 euro për fëmijë e pensionista, u dasht sikur Qeveria Hoti me ua nda Viva Fresh-it, Elkos-it e Devollit”. Deputetja, Hykmete Bajrami nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë. Bajrami ka thënë se postimi është i rremë. Bajrami e ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti për të ndarë nga 100 euro për pensionistë dhe fëmijë, duke thënë se “Qeveria… e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota. Jeni në panik, por as kjo skemë nuk ju shpëton dot.”
Artikulli
Më 22.12.2024, faqja në Facebook “Albini për Kryeministër” ka publikuar një fotografi (arkiva) të deputetes dhe ish-ministres së Financave, Hykmete Bajrami me mbishkrimin “Hykmete Bajrami pas vendimit për shtesa: Sa i ndani nga 100 euro për fëmijë e pensionista, u dasht sikur Qeveria Hoti me ua nda Viva Fresh-it, Elkos-it e Devollit.”
E njëjta infografikë është shpërndarë më 23.12.2024, nga faqja në Facebook Specbuk (arkiva), me mbishkrimin “është ironike që kritika e LDK-së vjen tani, kur për herë të parë një Qeveri po e vendos fokusin te shtresat më të nevojshme të shoqërisë. Në vend që të vlerësohet mbështetja për pensionistët dhe fëmijët, përpiqeni ta quani këtë një akt politik”.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër ka kërkuar në internet, mirëpo nuk ka hasur në ndonjë informacion se Bajrami ka dhënë një deklaratë të tillë. As në Facebook profilin e deputetes Hykmete Bajrami nuk është publikuar ndonjë deklaratë e tillë.
Krypometër ka kontaktuar edhe me deputeten Hykmete Bajrami, e cila ka mohuar të ketë dhënë një deklaratë të tillë.
“Unë nuk e kam thënë këtë. Është komplet e pavërtetë.”- është shprehur deputetja Bajrami.
Në një reagim në profilin e saj në Facebook, më 22.12.2024, Bajrami e kishte kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ndarë mjete për fëmijë e pensionistë në prag të Zgjedhjeve. “Shpërndarja e Buxhetit të shtetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik.”- ka shkruar ajo.
Tutje, ajo ka listuar veprimet e Qeverisë, të cilat, sipas saj, ia kanë rritur koston e jetesës qytetarëve.
“Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy Sindikatat, e ka detyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë Ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vjet radhazi me blerjen e librave, Qeveria në mandatin e së cilës janë rritur çmimet si kurrë më parë, sot me para të taksapaguesve po tenton me ble vota. Më 9 Shkurt votohet për ndryshim jo për lëmoshë.”- është shprehur Bajrami.
Më 22.12.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro shtesë për fundvit, të gjithë pensionistëve dhe fëmijëve deri në 16 vjeç.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një Konferencë të përbashkët me Kurtin të dielën tha se gjatë javës që vjen do të punohet për ekzekutimin e tyre.
Ndaj këtij vendimi të Qeverisë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas kësaj Partie, ndarja e këtyre mjeteve është një lëmoshë që nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër.
Më 29.10.2024 Qeveria, po ashtu, njoftoi për rritje të pagave nga janari 2025.
“Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2025 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5.”- kishte thënë Kurti.
Ai tha se rritja e dytë e pagave për 55 euro të tjera do të bëhet edhe verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në Zgjedhje të reja Parlamentare, në shkurt 2025.
|