Foto: Gentiana Ahmeti/KALLXO.com
Rrena se familjet që kanë më shumë se 10 fëmijë do të marrin nga 50 euro në muaj
Deklarata
“Kush i ka përmbi 10 fëmijë do të paguhet nga 50 euro për muaj”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi në rrjetin social “Tiktok” me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti dhe me mbishkrimin se kushdo që ka më shumë se 10 fëmijë do të paguhet me nga 50 euro në muaj është rrenë. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka thënë një gjë të tillë. Për më tepër, ai ka thënë se Qeveria nuk ka asnjë politikë të ngjashme, çfarë është proklamuar në këtë postim.
Artikulli
Më 26 prill 2023, faqja “UÇK ma thojnë emrin” ka publikuar një fotografi të kryeministrit Albin Kurti, me mbishkrimin “Kush i ka përmbi 10 fëmijë do të paguhet nga 50 euro për muaj”.
Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim që thotë se familjet që kanë më shumë se 10 fëmijë do të marrin nga 50 euro në muaj nga shteti.
Përveç kësaj, Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti nuk ka premtuar një gjë të tillë as gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, për të parë nëse një pretendim i tillë është i saktë. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë një vendim që t’i ndajë nga 50 euro për familjet që kanë më shumë se 10 fëmijë.