schema:text
| - Mimoza Kusari Lila nuk është gruaja më e votuar në Kosovë
Deklarata
“Mimoza Kusari, gruaja më e votuar në Kosovë”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Mimoza Kusari, gruaja më e votuar në Kosovë” është i rremë. Mimoza Kusari Lila nuk është gruaja më e votuar në Zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025. Bazuar në rezultatet preliminare për votat që kanë marrë kandidatët për Deputet rezulton se gruaja më e votuar në këto Zgjedhje është Albulena Haxhiu, duke marrë 101,553 vota. Ndërsa, Kusari Lila ka 70,015 vota. E, te partia e dytë për nga numri i votave (PDK) gruaja më e votuar është Vlora Çitaku, me 38,806. Kurse, te lista e LDK, gruaja më e votuar në këto zgjedhje është Doarsa Kica Xhelili, me 51,801 vota. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani mbetet gruaja më e votuar në historinë e Zgjedhjeve në Kosovë, pasi në Zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2021 kishte marrë 300,788 vota.
Artikulli
Më 26.02.2025, faqja në Facebook 75% për Albinin (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Deputete, Mimoza Kusari Lila.
Në postim është vendosur përshkrimi “Mimoza Kusari, gruaja më e votuar në Kosovë”.
Për të verfikuar këtë informacion, Krypometër ka kontrolluar rezultatet preliminare të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bazuar në rezultatet preliminare për votat që kanë marrë kandidatët për Deputetë, rezulton se gruaja më e votuar në këto Zgjedhje është Albulena Haxhiu, duke marrë 101,553 vota. Ndërsa, Kusari Lila ka 70,015 vota. E, te partia e dytë për nga numri i votave (PDK) gruaja më e votuar është Vlora Çitaku, me 38,806. Kurse, te lista e LDK gruaja më e votuar në këto Zgjedhje është Doarsa Kica Xhelili, me 51,801 vota.
Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë Kosovës- numërimi i të cilave sipas KQZ do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Ndërkohë, as në Zgjedhjet e shkurtit 2021, Kusari Lila nuk ishte gruaja më e votuar në Kosovë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, ajo kishte fituar 53,618 vota.
Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani është gruaja më e votuar në historinë e Zgjedhjeve në Kosovë. Si prijëse e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani në Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ka marrë 300,788 vota. Lëvizja Vetëvendosje së bashku me listën e Vjosa Osmanit ka marrë 438,334 vota, ose 49.952%. Aktualisht, në bazë të rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka 345,602 vota, kurse lideri i saj Albin Kurti ka marrë 290,729 vota.
Prej katër Shefave të Grupeve Parlamentare të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Kusari Lila del të jetë më e votuara, gjithnjë sipas të dhënave preliminare.
I dyti është shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili në Zgjedhjet 9 shkurtit 2025 ka marrë 20,730 vota. Ndërsa, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi renditet i treti, me 16,729.
Prej Kryetarëve të Grupeve Parlamentare më pak i votuari, sipas këtyre të dhënave, është Besnik Tahiri i cili rrezikon të mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës. Ai ka aktualisht 9,064 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave në të gjitha vendvotimet më 21.02.2025. Njëherësh është kryer verifikimi i votave të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për Deputet. Tani ka mbetur numërimi i votave me kusht, votave nga jashtë dhe votave të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të bëhet çertifikimi i rezultatit zgjedhor dhe të dihet saktë se nga sa deputetë do t’i marrin partitë që kanë kaluar pragun zgjedhor e partitë e komuniteteve pakicë në vend.
Sipas rezultateve të tanishme e preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, koalicioni AAK- NISMA 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
|