schema:text
| - Ilustrim
Pretendimi i pambështetur se shafrani i Indisë është antibiotik
Deklarata
Shafrani është antibiotiku më i fortë dhe përdoret edhe kundër kancerit
Vlerësimi
Rrenë
Informacioni se shafrani është antibiotiku më i fortë dhe përdoret edhe kundër kancerit është i pasaktë. Krypometër ka verifikuar se antibiotiku më i fortë i njohur deri më tani është “Imipenem+cilastatin ampula, Ceftriaxone ampula” ndërsa onkologët nuk e rekomandojnë shafranin në trajtimin e kancerit.
Artikulli
Më datë 5 tetor 2023 faqja në Facebook ‘Liria Ka Emër’ ka shprëndarë një material me titull “Ky quhet Antibiotiku Më I Fuqishëm “”Në Botë”. Postimi shprëndanë një artikull të publikuar në ueb-faqen e internetit NEW NEWS
Artikulli rekomandon ‘shafranin e Indisë’, për shërimin e infeksioneve të ndryshme, mëlçisë madje edhe sëmundjen e kancerit.
“Shafrani i Indisë, është jashtëzakonisht i dobishëm në rastin e infeksioneve, problemeve të tretjes, inflamacionit, madje edhe kancerit, gjithashtu shërben si antibiotik i fuqishëm për t rupin tonë”- shkruhet në artikull.
Krypometër ka verifikuar nëse ky informacion qëndron.
Fillimisht është verifikuar nëse shafrani përdoret për sëmundjen e kancerit.
Më datë 11/10/2023 Krypometri ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi për të parë nëse e rekomandojnë këtë bimë për sëmundjen e kancerit.
“Ne nuk e rekomandojmë këtë lloj bime për sëmundjen e kancerit, rrjedhimisht nuk e dimë nëse ka veti shëruese për këtë sëmundje”- ka thënë Kurtishi për Krypometër.
Pretendimi tjetër i verfikuar nga Krypometri është raportimi se shafrani është antibiotiku më i fortë.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometri ka kontaktuar edhe me Astrit Haxhijahajn i cili është farmacist.
“Antibiotik i fuqishëm mund të konsiderohet: Imipenem+cilastatin ampula, Ceftriaxone ampula”- thuhet në përgjigjen e farmacistit klinik të datës 11/10/2023.
Ai për Krypometrin gjithashtu ka thënë se shafrani i Indisë konsiderohet si produkt i mjekësisë popullore.
“Tek ne këto produktet konsiderohen si produkte PREVENTIVE apo PARANDALUESE dhe futen në Mjekësinë alternative ose popullore e jo në Mjekësinë PROFESIONALE mirëpo përveç kësaj edhe këto produkte, duhet të kontrollohen nëpërmjet agjensioneve kompetente në Kosovë. Sa i përket produktit në fjalë, nuk ka asnjë bazë shkencore profesionale ose nuk ka ndonjë protokoll ndërkombëtar mjekësor që këto produkte i klasifikon siç shkruan në këtë tekst”- thuhet më tej në përgjigjen e Haxhijahajt për Krypometër.
|