schema:text
| - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Rrena e ish-ministres për votat e Listës Serbe për pagesën e energjisë për komunat veriore (VIDEO)
Deklarata
Hykmete Bajrami (06.05.2021): “Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuçiqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 milionë euro (11 000 000 €) për rrymën në veri. Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore.”
Vlerësimi
Rrenë
Deklarata e deputetes Hykmete Bajrami nuk është e vërtetë. Në votimin e këtij propozimi nuk ka marrë pjesë fare Lista Serbe. Sipas pamjeve të Kuvendit të Kosovës dhe transkriptës së seancës së Kuvendit, nga 68 deputetë të pranishëm vetëm 61 deputetë kanë votuar dhe të gjithë pro. 7 deputetët e Listës
Serbe të pranishëm në seancë nuk kanë votuar fare.
Artikulli
Kuvendi i Kosovës e miratoi të enjten propozimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që KOSTT të marrë përsipër pagesën prej 11 milionë euro për mbulimin e energjisë elektrike të shpenzuar në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për periudhën deri në dhjetor 2021.
Në kohën kur po votohej ky propozim, sipas administratës së Kuvendit, të pranishëm në seancë kanë qenë 68 deputetë, ndërsa propozimi kishte kaluar me 61 vota pro.
Deputetja Hykmete Bajrami përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me deputetët e Listës Serbe kanë votuar për këtë rekomandim.
“Vetëvendosje bashkë me Listën e Vuçiqit e me aprovim të z. Kurti japin 11 MILIONË euro (11 000 000 €) për rrymën në veri. Me 61 vota për, deputetët e LVV-së së bashku me ata të Listës “Srpska” kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për katër komunat veriore”, ka shkruar ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Por kjo deklaratë e Hykmete Bajramit nuk qëndron. Në pamjet nga Kuvendit, por edhe nga transkriptimi i seancës së Kuvendit, në votim kanë marrë pjesë 61 deputetë, ndërsa 7 deputetët e Listës Serbe të pranishëm në momentin e votimit, nuk kanë marrë pjesë fare në votim.
“Në votim kanë marrë pjesë 61 deputetë, asnjë kundër e asnjë abstenim. Kuvendi i miratoi rekomandimet e Komisionit Funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës. Pra, 61deputetë janë për”, kishte deklaruar kryesuesja e Kuvendit, nënkryetarja Saranda Bogujevci.
|