Rrena se SHBA ka arrestuar “100 kriminelë mediatikë në dy muajt e fundit”
Deklarata
Ushtarakja amerikane shpalli 97 arrestime “Media” në dy muajt e fundit
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Ushtarakja amerikane shpalli 97 arrestime “Media” në dy muajt e fundit” nuk është i bazuar në fakte. Sipas Aktit ‘Posse Comitatus’ të vitit 1878, ushtria nuk ka autoritetin për të arrestuar civilë. Ky lajm është vlerësuar si i rremë edhe nga media tjera, të cilat theksojnë se ushtria në SHBA nuk ka kompetencë të bëjë arrestime.
Artikulli
Më 23 janar 2024 faqja Patriotët e Botës Re (arkive) në rrjetin Facebook publikoi një shkrim me titull “Ushtarakja amerikane shpalli 97 arrestime ‘Media’ në dy muajt e fundit”.
Aty madje është dhënë edhe një sqarim i gjatë se si ndodhi procedura.
“Hetuesit J*A*G dhe C*I*D të ushtrisë kanë arrestuar gati 100 kriminelë mediatikë në dy muajt e fundit. Megjithatë, të burgosurit nuk janë fytyra dhe figura magjepsëse që kënaqin etjen kolektive për (dis)informim çdo ditë”- thuhet në këtë shkrim.
Krypometër ka gjetur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Aktit ‘Posse Comitatus’ të vitit 1878, ushtria nuk ka autoritetin për të arrestuar civilë. Ky akt mund të anulohet në rrethana të caktuara të autorizuara në mënyrë eksplicite nga Kushtetuta e SHBA-së ose Akti i Kongresit.
“Ligji Posse Comitatus i vitit 1878, i cili largoi ushtrinë nga zbatimi i rregullt i ligjit për ruajtjen e rendit, u miratua si përgjigje ndaj abuzimeve që rezultuan nga përdorimi i gjerë i ushtrisë në zbatimin e ligjit gjatë Luftës Civile”- thuhet në këtë akt.
I njëjti postim, më 24 janar 2024, është verifikuar si i rremë (arkive) nga verifikuesi i fakteve leadstories.com.
“Lead Stories ka kontaktuar Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes për këtë pretendim. Përmes një emaili më datë 24 janar 2024, një oficer në Pentagon reagoi si në vijim: Kjo është e pavërtetë”- thuhet në këtë artikull të publikuar nga LeadStories.
Lajmi në rrjete sociale ishte ilustruar vetëm me llogo të disa mediave online dhe TV.