schema:text
| - Një pikë e kontrollit të policisë ekzagjerohet në metaforë politike
Deklarata
Albin Kurti ka vendos me shliru deri te Molla e Kuqe
Vlerësimi
Me kos
Video dhe përshkrimi “Albin Kurti ka vendos me shliru deri te Molla e Kuqe” nuk kanë ndërlidhje. Video është realizuar në një pikë kontrolli të Policisë së Kosovës, e cila ishte vendosur pas sulmit terrorist në Banjskë. Kjo pikë ishte në Ballaban, kryqëzimi Banjskë- Leposaviq. Kurse, ka shumë mite për të cilat shkruhet e këndohet se kufiri i Kosovës ka qenë deri tek Molla e Kuqe. Njohësit e fushës thonë se nuk ka një “mollë të kuqe”, por e njëjta është një metaforave politike që burimin e ka tek Perandoria Osmane.
Artikulli
Me datë 7 janar 2024, faqja në Facebook “#meVetëvendosjen” ka publikuar një video- xhirim në të cilin shihen disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të Mitrovicës.
Videoja është publikuar me mbishkrimin “Albin Kurti ka vendos me shliru deri te Molla e Kuqe”.
Ekipi i KALLXO.com kishte raportuar nga Komuna e Zveçanit dhe ka arritur të identifikojë lokacionin ku është xhiruar video e publikuar në grupin “#meVetëvendosjen”
KALLXO.com kishte raportuar nga ajo pikë për katër ditë përshkak se e njëjta ishte vendosur për të mos lejuar persona të paautorizuar që të hyjnë në fshatin Banjskë pas sulmit terrorist, pasi që brenda këtij fshati po punohej për të gjetur dhe identifikuar armatim e mjete të tjera ushtarake që ishin lënë nga grupi i dyshuar terrorist.
Krypometër ka arritur të identifikojë pamjen e njëjtë e cila është marrë nga video e publikuar fillimisht në KALLXO.com (Shiko KËTU, 0:24 min), që konfirmon se policët e paraqitur në këtë video kanë qenë në Kosovë, e jo në ndonjë vend tjetër.
Krypometri ka kontaktuar edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshanin.
“Vendi ku po shihen policët quhet Ballaban, kryeqëzimi Banjskë- Leposaviq. Jo, nuk është ashtu siç është përshkruar, nuk ka të bëjë asgjë me “mollën e kuqe””- thotë Elshani për Krypometrin.
Sulmi në Banjskë
Më 24 shtator të vitit 2023, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit u regjistrua një sulm terrorist nga një grup prej më shumë se 50 persona.
Grupi i dyshuar terrorist, fillimisht kishin sulmuar me një minë anti-këmbësorike nga e cila mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.
Deri më tani, grupit që hyri nga Serbia për të kryer sulm në Banjskë të Zveçanit, doli hapur se i kishte prirë ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq.
Disa ditë pas ngjarjes nuk doli personalisht, por përmes një letre të cilin e lexoi një avokat i tij, ai mori përgjegjësinë për koordinimin e sulmit si dhe aspektin logjistik.
Në Banjskë u konfiskuan qindra armë, municione, pajisje ushtarake, uniforma, dokumente, e disa vetura të cilat u lanë në vendin e ngjarjes nga grupi i dyshuar terrorist pasi ishin arratisur nga Banjska.
Pas ngjarjes në Banjskë, Organizata Ndërkombëtare INTERPOL ka vendosur në sistemin e personave në kërkim 20 emra të cilat i përkasin personave që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë. Listës i prinë Radoiçiq.
KALLXO.com ka siguruar edhe dosjen me emrat e personave të cilët janë në listën e të dyshuarve për ngjarjen në Banjskë.
Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre personave, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Molla e kuqe
Shprehja “deri te Molla e Kuqe” është përdorur si toponim në të kaluarën deri ku kanë qenë trojet shqiptare, e që pretendohet se të njëjtat kanë qenë deri në afërsi të Nishit, edhe pse pa ndonjë bazë të qartë shkencore. Në kohën kur kryeministri Albin Kurti e kishte themeluar Lëvizjen Vetëvendosje, në program të tij ishte bashkimi kombëtar i tokave të banuara me shqiptarë, por që nga zgjedhja e tij kryeministër nuk ka bërë ndonjë postim që thotë se synimet e tij janë që të arrijë të shkojë deri te “Molla e Kuqe” e duke iu referuar çlirimit.
Për mitin që thotë se shqiptarët kanë jetuar deri në afërsi të Nishit, nëpër vite, është kënduar e janë dhënë verisione të ndryshme nëpër media. Njohës të historisë japin shpjegime të ndryshme për metaforën politike “Deri të Molla e Kuqe”.
Profesori dhe opinionisti, Blerim Latifi në një postim të bërë në Facebook, kishte shpjeguar se “Molla e Kuqe” burimin e ka tek Perandoria Osmane.
Sipas tij “Molla e Kuqe” është një metaforë politike e cila shpjegohet për origjinën e saj në njërën nga librat për historinë e Perandorisë Osmane.
“Qyteti i ëndrrave 1453- 1924”, i Philip Mansel. Aty e gjejmë edhe shpjegimin për origjinën e njërës prej metaforave politike, e cila vazhdon ende të qarkullojë në mesin tonë. Kjo është metafora politike e Mollës së Kuqe”- thuhet në postimin e profesorit Latifi.
Ai thotë se burimi i kësaj shprehjeje lidhet me Perandorinë Osmane dhe pushimin e Konstandinopojës, Stambollin e sotëm.
“Në fakt, e vërteta qëndron ndryshe. Nuk bëhet fjalë për një mollë konkrete, por për mollën si simbol sundimi. Kur osmanët e pushtuan Konstantinopojën, të cilën më pas e quajtën Stamboll, ata e gjetën para Kishës së Aja Sofisë një shtatore të madhe të perandorit Justinian hipur mbi kali. Në njërën dorë Justiniani mbante shpatën, ndërsa në tjetrën një glob të kuq, i cili simbolizonte sundimin mbi botën të Perandorisë Bizantine”- e shpjegon situatën Latifi.
Ai tutje shton se osmanët e rrëzuan shtatorën e perandorit më të njohur bizantin, por i ruajtën simbolet e tij, bashkë me pretendimin për të qenë trashëgimtarë të fuqisë së dikurshme të Perandorisë Bizantine.
“Në fillim, shkruan Mansel, për osmanët Molla e Kuqe ishte Roma, kryeqendra e Krishterimit, pastaj, më vonë, e tillë u bë Vjena, të cilën ushtritë osmane dy herë arritën ta rrethonin. Kështu, gradualisht, simbolika e Mollës së Kuqe u bë simbolikë e kufijve të Perandorisë Osmane dhe prej andej kjo simbolikë hyri edhe në imagjinatën kolektive të shqiptarëve dhe në folklorin e tyre. Pra, e tëra ka të bëjë me një metaforë politike bizantino- osmane”- përfundon postimin Latifi.
|