schema:text
| - Nuk ka të dhëna shkencore që diabeti shkakton kancer
Deklarata
Diabeti e rritë rrezikun e kancerit në pankreas
Vlerësimi
Me kos
Në videon me titulli “Diabeti e rritë rrezikun e kancerit në pankreas”- janë dhënë pretendime të pasakta dhe të paprovuara shkencërisht. Endokrinologët Bardhyl Gashi e Amir Rexhepi thonë se diabeti nuk e shkakton kancerin. Rexhepi thotë se vetëm “3% e pacientëve me kancerin e pankreasit në botë, sipas të dhënave zyrtare kanë edhe diabet”. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, thotë se diabeti është një prej sinjaleve që duhet të kontrollohet pankreasi dhe të shikohet funksioni i tij.
Artikulli
Më 31.10.2024 faqja në rrjetin social Threads ‘mjeksi_shendetesi’ (arkiva) ka publikuar një video me titull “Diabeti e rritë rrezikun e kancerit në pankreas”.
“Diabeti e rrit rrezikun e kancerit në pankreas. Kanceri i pankreasit shkaktohet nga rritja anormale dhe e pakontrolluar e qelizave në pankreas. Sipas ekspertëve shëndetësorë ende nuk dihet mirë shkaktari kryesor i kancerit në pankreas, por ekziston një numër i faktorëve të rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, si p.sh. personat që vuajnë nga diabeti kanë rrezik më të shtuar të kancerit. Lidhja mes diabetit dhe kancerit në pankreas është për faktin se insulina është hormon që prodhohet nga pankreasi e njëjta gjë vlen edhe anasjelltas. Kjo për shkak se tumori mund ta ndalë pankreasin të prodhojë insulinë, siç prodhon normalisht”- thuhet në këtë video.
Për këtë pretendim, Krypometër ka pyetur drejtorin e Klinikës së Onkologjisë në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi.
Ai ka thënë se diabeti mund të jetë një shenjë që në pankreas po ndodh diçka.
“Mund të jetë një shenjë fillestare se në pankreas po ndodh diçka dhe duhet vlerësuar mirë, sidomos pas moshës 50-vjeçare!”- ka thënë Kurtishi.
Ndërsa sa i përket videos ka thënë se mund të ketë lidhje edhe kjo që thuhet aty.
“Po, mundet të lidhet edhe kjo që po dëgjohet në këtë video”- ka thënë Kurtishi.
Megjithatë, Bardhyl Gashi, endokrinolog në Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK, thot se diabeti nuk shkakton kancer.
“Nuk është e verifikuar shkencërisht që diabeti shkakton kancerin e pankreasit, pra s’duhet besuar në gjëra të tilla derisa shkenca nuk e thot një gjë të tillë”- ka thënë Gashi, duke këshilluar pacientët që për probleme të tilla të paraqiten te doktori.
Ndërsa Amir Rexhepi, po ashtu endokrinolog, ka thënë se është një numër shumë i vogël i pacientëve me kancer në pankreas që mund të kenë edhe diabet.
“3% e pacientëve me kancerin e pankreasit në botë, sipas të dhënave zyrtare kanë edhe diabet. Ndodh që këta pacientë trajtohen për diabet dhe mund të mos jenë në dijeni për kancerin në pankreas derisa të jetë në fazat më të avancuara”- ka thënë Rexhepi për Krypometër.
Trajtimi i sëmundjes së diabetit
Endokrinologu Adem Rama ka thënë se diabeti është sëmundje kronike te e cila faktori kryesor është komponenta gjenetike, pra trashëgimia. Por, kjo sëmundje ka edhe shkaktarë të tjerë.
“Trashëgimia nuk mund të ndikohet. Obeziteti te diabeti i tipit 2 pasi 75% prej tyre janë obezë, pastaj është ushqimi i shpejtë, duke mos harruar edhe stresin. Ne kemi vërejtur te popullata jonë që pas luftës pacientët referojnë se nuk kanë askënd në familje me diabet por atyre u është paraqitur sheqeri, pra edhe komponenta e stresit ka ndikim në paraqitjen e diabetit”- ka thënë Rama.
Ai ka rekomanduar që secili pacient duhet të konsultohet me specialistët e fushës në mënyrë që të marrë udhëzime të personalizuara për trajtim të diabetit. Ai ka thënë se pacientët që vonohen në trajtim të diabetit sipas udhëzimeve të profesionistëve shëndetësor mund të kenë komplikime.
“Shkenca botërore perëndimore tregon që për diabet të tipit 1 gjithsesi duhet të merret insulinë; tipi dy mund të trajtohet vetëm me tableta dhe përcjellje strikte; më shumë te diabeti 1 për shkak të moshës së pacientit që të mos kemi komplikime më vonë dhe normalisht edhe diabetin e tipit 2 që njihet si diabeti që lajmërohet në pleqëri, humbja e kohës te diabeti kushton shumë”- tha Rama.
|