schema:text
| - Pretendime të rreme se vaji i farës së zezë shëron disa sëmundje
Deklarata
Vaj i fares se zeze… Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri, cirrozat e melçise, tensioni I larte, reumatizmi, semundjet kardiake etj
Vlerësimi
Me kos
Janë të rreme pretendimet se “vaj i fares se zeze… Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri, cirrozat e melçise, tensioni I larte, reumatizmi, semundjet kardiake etj”. Neurologia Syzana Aliçkaj Prebreza ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë terapi që mund të shërojë sëmundjen e alzhajmerit, por ka të tilla që mund të ndihmojnë që të reduktojnë këto simptoma. Endokrinologu Bardhyl Gashi thot se diabeti është sëmundje kronike dhe nuk ka asgjë shkencore që dëshmon se vaji i farës së zezë shëron këtë sëmundje. Kardiokirurgu, njëherësh drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi, ka thënë se ndonëse nuk ka asgjë shkencore rreth kësaj teorie, farat e zeza ndihmojnë pak në reduktimin e shkaqeve që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.
Artikulli
Më 17.12.2024, faqja në Threads natural.care (arkiva) ka publikuar një artikull për shërimin e disa sëmundjeve me anë të vajit të farës së zezë.
“Vaj i fares se zeze Bio , PURE & FIRST COLD PRESSED! 100% Organik ! Trajton nje game te gjete semundjesh qe nga diabeti, alzajmeri, cirrozat e melçise, tensioni I larte, reumatizmi, semundjet kardiake etj… Super ushqyes per lekuren dhe floket!”- shkruan në këtë artikull.
Krypometër për ta verifikuar këtë informacion ka kontaktuar me profesionistë të këtyre fushave.
Diabeti dhe vaji i farës së zezë
Endokrinologu Bardhyl Gashi ka thënë se nuk ka asnjë bazë shkencore që mund të shërohet diabeti me këso produktesh.
“Diabeti është sëmundje kronike. Nuk ka asgjë shkencore që dëshmon se vaji i farës së zezë shëron këtë sëmundje.”- ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se ilaçet duhet të përdoren vetëm me recetën e mjekut.
“Diabeti është një sëmundje kronike e cila karakterizohet me, si thonë në popull ‘etje të shtuar, urinim të shpeshtë dhe oreks të shtuar’, por kjo s’do të thotë që ky rast është për çdo të sëmurë me diabet, sepse ka edhe ankesa të tjera.”- shpjegon Gashi.
Endokrinologu Adem Rama ka thënë se diabeti është sëmundje kronike, te e cila faktori kryesor është komponenta gjenetike, pra trashëgimia. Por, kjo sëmundje ka edhe shkaktarë tjerë.
Rama ka alarmuar se pacientët të cilët vonohen në trajtim të diabetit, mund të kenë komplikime shëndetësore.
“Shkenca e botës perëndimore tregon që për diabet të Tipit 1 gjithsesi duhet të merret insulinë. Tipi 2 mund të trajtohet vetëm me tableta dhe përcjellje strikte. Humbja e kohës te diabeti kushton shumë.”- shpjegon Rama.
Alzhajmeri dhe faji i farës së zezë
Për të verifikuar pretendimet se vaji i farës së zezë e trajton sëmundjen e alzhajmerit, Krypometër ka biseduar me Syzana Aliçkaj Prebreza, Specialiste e Neurologjisë- Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Aliçkaj Prebreza ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë terapi që mund të shërojë sëmundjen e alzhajmerit, por ka të tilla që mund të ndihmojnë që të reduktojnë këto simptoma.
“Trajtimi bëhet me inhibitorët e acetylcholinesterases- Donepezil. Këto ilaçe rritin nivelin e acetilkolinës, një substancë në tru e cila ndihmon qelizat nervore të komunikojnë me njëra- tjetrën. Memantine funksionon duke bllokuar efektet e një sasie të tepërt të një kimikati në tru, të quajtur ‘glutamat’.”- ka thënë Prebreza.
Neurologia Syzana Aliçkaj Prebreza ka shpjeguar se sëmundja e alzhajmerit është një sëmundje neurodegjenerative, që zakonisht fillon ngadalë dhe në mënyrë progresive përkeqësohet. Është shkaku i 60- 70% të rasteve të demencës.
Alzhejmeri, sipas saj, shkaktohet nga një kombinim i faktorëve gjenetik, stilit të jetesës dhe mjedisit, që ndikojnë në tru me kalimin e kohës.
“Në më pak se 1% të njerëzve, alzhajmeri shkaktohet nga ndryshime specifike gjenetike që pothuajse garanton se një person do të zhvillojë sëmundjen. Për njerëzit e këtij grupi, sëmundja zakonisht fillon në moshën e mesme. Shkaku i sëmundjes së alzhajmerit është fokusuar në dy proteina: beta amiloidi e tau.”- ka shtuar Aliçkaj Prebreza.
Alzhajmeri është sëmundje e pashërueshme, por, sipas Aliçkaj Prebreza, disa produkte produkte bimore mund të ndihmojnë në parandalimin ose reduktimin e rrezikut të sëmundjes së alzhajmerit, falë përmbajtjes së tyre të pasur me antioksidantë, komponime anti- inflamatore dhe substanca që mbështesin shëndetin e trurit.
Se alzhajmeri është sëmundje e pashërueshme e ka thënë edhe neurologu Blerim Myftiu.
“Deri më sot nuk është gjetur ndonjë ilaç i cili shëron alzhajmerin, andaj qytetarët për çdo problem duhet të konsultohen me mjekun përkatës, e asesi të blejnë produkte për të cilat nuk dihet as origjina e as përmbajtja. Deri në 10 vjet i duhet profesionistëve që të qesin në treg një bari për përdorim të kësaj sëmundjeje, ndërsa për diagnostifikimin e saj pacienti duhet të kalojë nëpër disa faza e kontrolle.”- ka thënë Myftiu.
Për farën e zezë, të njohur ndryshe si Nigella sativa, janë bërë studime të shumta për efektet pozitive në trupin e njeriut. Në faqen e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë në SHBA është publikuar një Raport përmbledhës, duke thënë se nevojiten më shumë studime për të parë mundësinë e përdorimit të farës së zezë në prodhimin e ilaçeve të ndryshme.
Përkundër efekteve pozitive, deri më tani, nuk mund të thuhet se të njëjtat mund të përdoren si ilaç i vetëm kundër sëmundjeve.
Hipertensioni, sëmundjet kardiake dhe vaji i farës së zezë
Kardiokirurgu, njëherësh drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, Shpejtim Shurdhiqi ka thënë se ndonëse nuk ka asgjë shkencore rreth kësaj teorie, farat e zeza ndihmojnë pak në reduktimin e shkaqeve që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.
“Fara e zezë ndihmon në reduktimin e shkaqeve që shkaktojnë sëmundjet e zemrës, d.m.th. në masë të lehtë ndikojnë në ulje të tensionit të gjakut dhe të yndyrës në gjak (faktorë që dobësojnë zemrën). Nuk ka studim të qartë që direkt kemi të bëjmë me shërimin e sëmundjeve të zemrës, edhe pse ka hipoteza, por jo të vërtetuara shkencërisht.”- ka thënë Shurdhiqi.
Ai ka bërë thirrje tutje që pacientët potencial për këto telashe t’i drejtohen mjekut familjar.
“Pacientët të cilët mund të kenë këso telashesh, ata duhet të konsultohen me mjekun familjar apo direkt kardiologun, e jo të marrin receta nga interneti, sepse më pas mund të bëhet vonë.”- ka këshilluar ai.
|