schema:text
| - Titulli dhe fotografia e rreme për arritjen e marrëveshjes Rusi-Ukrainë për grurin
Deklarata
“OKB me lajmin e gëzueshëm: Arrihet marrëveshja Rusi – Ukrainë, krizës së grurit po i vije fundi”
Vlerësimi
Rrenë
Titulli: “OKB me lajmin e gëzueshëm: Arrihet marrëveshja Rusi – Ukrainë, krizës së grurit po i vije fundi”, është i rremë. Përveç kësaj edhe fotografia e shpërndarë është e rreme. Nuk është arritur marrëveshja në mes të Rusisë dhe Ukrainës sa i përket grurit, përkundër faktit që ka shpresa që gjatë javës së ardhshme mund të ketë marrëveshje finale. Gjatë ripublikimit të materialeve gazetarët nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e lajmit dhe të njëjtin ta raportojnë si të huazuar nga burimi origjinal.
Artikulli
Përditësim 25.07.2022: Pas ndryshimit të përmbajtjes së artikullit nga ana e publikuesit, Krypometër me datën 25.07.2022 e ka ri-vlerësuar këtë përmbajtje.
Titulli: “OKB me lajmin e gëzueshëm: Arrihet marrëveshja Rusi – Ukrainë, krizës së grurit po i vije fundi”, është ndryshuar. Tash titulli i artikullit dhe postimit është: OKB, shpresa për një marrëveshje për eksportin e drithit nga Ukraina. Ky titull tash është i saktë dhe i vërtetë.
Artikulli ishte shpërndarë me një fotografi të rreme, ndërsa e njëjta tash është fshirë dhe është zëvendësuar me një fotografi që e ilustron lajmin. Gjatë ripublikimit të materialeve gazetarët nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e lajmit dhe të njëjtin ta raportojnë si të huazuar nga burimi origjinal.
Krypometri origjinal i datës 15.07.2022: Media online, ballina.new65media/ ka publikuar një artikull me pretendimin se është arritur marrëveshja mes Rusisë dhe Ukrainës në lidhje me eksportet e grurit ukrainas, duke iu referuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Titulli i lajmit është: “OKB me lajmin e gëzueshëm: Arrihet marrëveshja Rusi – Ukrainë, krizës së grurit po i vije fundi”, i publikuar më 14 korrik 2022.
Faktet tregojnë se ende nuk është arritur marrëveshje zyrtare mes Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e grurit.
Përveç kësaj, fotografia kryesore e lajmit është e fabrikuar, në të cilën paraqitet presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ai rus Vladimir Putin duke shtrënguar duart, si ilustrim për arritje të marrëveshjes së pretenduar.
Për ta rifilluar eksportin e grurit ukrainas është njoftuar krijimi i një qendre koordinimi dhe monitorimi në Stamboll ka raportuar media prestigjioze britanike “The Guardian” të enjten, më 14 korrik, 2022.
Duke iu referuar raportimit të tyre, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar ka thënë se Ankaraja do ta garantojë sigurinë e dërgesave në tranzit dhe palët do t’i kontrollojnë bashkërisht ngarkesat e grurit në porte, pasi zyrtarët nga Ukraina, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Turqia u takuan për bisedime në Stamboll të mërkurën.
Kurse, Shefi i OKB-së, Antonio Guterres i përshkroi bisedimet si një “hap i rëndësishëm përpara”, por tha se duhet më shumë punë përpara se një marrëveshje pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.
Në anën tjetër, përmbajtja e artikullit të “Ballina.news” e demanton titullin e tij, pasi aty citohet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili të enjten më 14 korrik 2022 foli rreth progresit të bisedimeve mes të dyja palëve.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të mërkurën se është rënë dakord gjerësisht për një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës, me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara, për të eksportuar miliona tonë grurë ukrainas të bllokuar nëpër depo që kur filloi agresioni rus më 24 shkurt”, thuhet në artikull.
Në fund të artikullit është cituar VOA [Zëri i Amerikës]. Pra portali në fjalë ka ripublikuar artikullin e Zërit të Amerikës, por duke ia ndryshuar titullin dhe e shtrembëruar atë.
Artikulli origjinal i publikuar në Zërin e Amerikës ka titullin: “OKB, shpresa për një marrëveshje për eksportin e drithit nga Ukraina”.
|