schema:text
| - Rrena se një fëmijë u kidnapua në Rahovec
Deklarata
Kidnapohet një fëmijë në Rahovec
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Kidnapohet një fëmijë në Rahovec” është i rremë. Lajmi është bërë bazuar në një mesazh të brendshëm brenda Shoqatës Harea, mirëpo nuk është kontaktuar Policia e Kosovës dhe as drejtoresha e Shoqatës për të konfirmuar lajmin. Policia e Kosovës, zyra rajonale në Gjakovë dhe ajo në Prizren, kanë thënë për Krypometrin se nuk kanë ndonjë rast të paraqitur për kidnapimin e ndonjë fëmije. Drejtoresha e shoqatës “Hareja” ka pranuar se i ka dërguar një mesazh edukatorëve për kujdes të shtuar, pasi ishte thënë se “ishte keqiniformuar se ishte kidnapuar një fëmijë”, mirëpo ka thënë se informacioni për kidnapim është i rremë.
Artikulli
Më 23 nëntor 2023, faqja e internetit “Rahoveci24.com” (arkiva) ka publikuar një informacion me titullin “Kidnapohet një fëmijë në Rahovec”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në faqen e Facebook-ut “Rahoveci24” (arkiva).
Për informacionin për kidnapim, ky portal është thirurr në burimet brenda shoqatës “Hareja”, e cila ka kujdesin ditor për fëmijë 3-6 vjeç.
Krypometri ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, Stacionin në rajonin e Gjakovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, ka thënë se asnjë rast i kindapimit të fëmijës nuk është raportuar në Polici.
“Për informimin tuaj nuk ka ndonjë rast të tillë të raportuar në Polici në stacionin policor në Rahovec”- tha Elezi për Krypometër.
Krypometri ka kontaktuar me Adelina Paqarizi nga shoqata “Hareja”, e cila ka thënë se lajmi për kindnapimin e një fëmije është i rremë, por ka treguar se ka qenë një mesazh i saj që ka ndikuar që i njëjti me u shpërnda.
“Krejt ky informacion është shpërndarë si dezinformim. Mu me kanë thanë në Prizren që ka ndodhë një tentim kidnapimi edhe e kam mendu që është në Rahovec, e kam keqkuptu dhe u kam thënë edukatoreve me pasë kujdes, kurrgjo tjetër. Pastaj një edukatore ka njoftu një prindër, e mandej prindi e ka përhapë në krejt Rahovecin”- ka thënë ajo.
Paqarizi ka treguar se është kontaktuar edhe nga Policia.
“Pra nuk është e vërtetë, s’ka pasë diçka për me kriju panik. Më kanë pyet edhe prej Policisë, po s’ka kurrfarë informatash as aty”- ka thënë ajo.
Paqarizi ka thënë se nuk janë kontaktuar nga asnjë medie për këtë rast.
Krypometri e ka verifikuar nëse kidnapimi i fëmijës ka ndodhur në rajonin e Prizrenit. Zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se në këtë rajon nuk kanë ndonjë rast të tentim kidnapimit ose kidnapimit në Prizren.
Bytyqi ka thënë se po trajtojnë disa ankesa të qytetarëve të lidhur më këtë çështje.
“Ne nuk kemi ndonjë rast të paraqitur të kidnapimit ose tentim kidnpimit. Por ka disa ankesa të qytetarëve, sot kanë hetuesit për të marrë deklarata të qytetarëve me pa nëse ka diçka të vërtetë. Ende është herët por deri më tani nuk ka ndonjë rast në asnjë stacion”- ka thënë Bytyqi.
Shënim: Është edituar data e publikimit të artikullit në faqen e internetit “Rahoveci24.com“
|