schema:text
| - Deklarata e rreme që i mveshet Pal Lekajt
Deklarata
Asnjë qeveri nuk ka qenë më e korruptuar se unë, siç ka thënë Daut Haradinaj për patriotizëm, unë po ju themë se, shkollë ju mbaj për korrupsion të gjithëve
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë pretendimi se Pal Lekaj ka thënë se “Asnjë qeveri nuk ka qenë më e korruptuar se unë, siç ka thënë Daut Haradinaj për patriotizëm, unë po ju themë se, shkollë ju mbaj për korrupsion të gjithëve”. Kjo infografikë është e manipuluar, pasi në fotografinë reale Pal Lekaj është cituar të ketë thënë se “asnjë qeveri nuk ka qenë më e korruptuar se qeveria Kurti… Janë zhytur deri në vesh, në korrupsion”. Kjo infografikë e manipuluar është publikuar pak ditë para Zgjedhjeve që pritet të mbahen më 09.02.2025.
Artikulli
Më 04.02.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati për Deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Në këtë fotografi është vendosur një mbishkrim që pretendohet se është një deklaratë e thënë nga Lekaj.
“Asnjë qeveri nuk ka qenë më e korruptuar se unë, siç ka thënë Daut Haradinaj për patriotizëm, unë po ju themë se, shkollë ju mbaj për korrupsion të gjithëve”- thuhet në mbishkrim.
Krypometër ka kërkuar fillimisht në internet nëse një deklaratë e tillë është thënë nga Lekaj, por nuk ka gjetur një deklaratë të ngjashme.
Tutje, Krypometër përmes kërkimit të fotografisë në Google Fact Check Tools ka gjetur postimin real, i cili ishte publikuar për herë të parë më 04.02.2025 nga faqja DPT Fidani, një emision që transmetohet në Klan Kosova.
Në postimin real Lekaj ka thënë se “asnjë qeveri nuk ka qenë më e korruptuar se qeveria Kurti… Janë zhytur deri në vesh, në korrupsion”.
Më tej, Krypometër ka kontaktuar me drejtorin për Informim në AAK, Lulzim Blaka për të kuptuar vërtetësinë e deklaratës. Blaka ka thënë se përmbajtja është e rreme.
“Ky është një profil që është prodhues i përmbajtjeve të rrejshme vazhdimisht, tash e shumë vjet.”- ka thënë Blaka për Krypometër.
Pal Lekaj është kandidat për Deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ai ka shërbyer si Kryetar i Komunës së Gjakovës nga viti 2007 deri në vitin 2013 dhe më pas si Ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës nga viti 2017 deri në vitin 2020.
Në janar të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Pal Lekajn me 3 vjet e tetë muaj burg për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “dëmtim të buxhetit të Kosovës”, në lidhje me pagesën shtesë prej 53 milionë eurosh ndaj Konsorciumit “Bechtel&Enka”, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Lekaj e ka apeluar Vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
|