schema:text
| - Video e manipuluar me pretendime të rreme për lythat
Deklarata
Nëse keni papilloma në qafën e sqetullave ose pjesëve të tjera të trupit, ka shumë të ngjarë që para…
Vlerësimi
Rrenë
Video e shpërndarë me mbishkrimin “Nëse keni papilloma në qafën e sqetullave ose pjesëve të tjera të trupit, ka shumë të ngjarë që para…”- nuk është e bazuar në fakte. Edhe pse thuhet se do të tregojnë për mënyrën e trajtimit të lythave, në video nuk është dhënë asnjë rekomandim për trajtimin e tyre. Faqja që e ka publikuar këtë video e ka paraqitur adresën në Ukrainë, menaxhohet nga atje dhe ka bërë postim në gjuhën shqipe. Rexhep Morina, specialist i Dermatologjisë, ka thënë se trajtimi i papillomave/ lythave bëhet në varësi të nëntipit të këtij virusi dhe vetëm me rekomandim të specialistëve.
Artikulli
Më 16.10.2024 faqja në Facebook Annabella Mathews (arkiva) ka publikuar një video në të cilën pretendohet se është gjetur kura për papillomat.
“Nëse keni papilloma në qafën e sqetullave ose pjesëve të tjera të trupit, ka shumë të ngjarë që para…”- thuhet në mbishkrimin e kësaj video.
Me të njëjtën fjali ka filluar edhe narracioni i kësaj video dhe aty thuhet se në video do të tregohet se si të mjekohen papillomat apo lythat.
“Nëse keni papilloma në qafë ose në pjesët e tjera të trupit, ka shumë të ngjarë që parazitët tashmë po ju hanë nga brenda, shikojeni videon deri në fund dhe unë do t’ju tregoj se si t’i hiqni qafe ato”- thuhet në këtë video.
Krypometër e ka dëgjuar të gjithë videon që zgjat 25 minuta dhe aty përmenden shkaqe që çojnë deri te shfaqja e lythave, mirëpo aty nuk përmendet asnjë metodë për shërimin e tyre.
Në këtë video flitet për një produkt të vetëm që mund t’i heqë këta parazitë nga organizmi por që nuk përmendet emri i tij.
Faqja në Facebook që e ka publikuar këtë video është hapur më 05.08.2024, menaxhohet nga një llogari në Ukrainë dhe adresën e ka në Kiev.
Rreziku dhe shërimi i papillomave
Për të verifikuar këto pretendime, Krypometër ka kontaktuar me Rexhep Morinën, specialist i Dermatologjisë, i cili ka thënë se trajtimi i papillomave/ lythave bëhet në varësi të nëntipit të këtij virusi.
“Varësisht prej nëntipit kemi edhe prezencë të lythave të njohur si verrucae vulgaris, genitalis (condylloma) si dhe fibromave nëpër regjione të ndryshme. Trajtohet me metoda dhe preparate të ndryshme si: Kryotherapi (azot i lëngët), termokauter, laser dhe preparate si: TCA, podophilotoxin, imiquimod, etj”- ka thënë Morina për Krypometër.
UNICEF dhe IKSHPK (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës) kanë publikuar edhe artikuj me anë të të cilëve kanë shpjeguar se çka është Human Papilloma Virusi (HPV) dhe vaksina kundër këtij virusi.
Në Kosovë që nga viti 2023 ka filluar të merret vaksina kundër HPV.
“Ekzistojnë më shumë se 200 lloje të HPV-së. Disa nga to janë shumë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, përfshirë disa lloje të kancerit. Kanceri i qafës së mitrës është lloji më i zakonshëm i kancerit që shkaktohet nga infektimi me HPV, por HPV gjithashtu mund të shkaktojë edhe kancerin anal, gjenital, si dhe kancerin e kokës dhe të qafës. HPV-ja është infeksioni më i shpeshtë në botë që transmetohet seksualisht, dhe kjo është arsyeja pse është aq e rëndësishme që të vaksinohemi kundër HPV-së në moshë të re dhe para se të fillojë jeta seksuale”– shkruan në artikullin e UNICEF-it.
Tutje në këtë artikull të UNICEF-it thuhet se HPV-ja përhapet nga personat që e kanë virusin nëpërmjet kontaktit direkt me lëkurën apo lëngjet e trupit, ndërsa personi i infektuar mund ta bartë HPV-në te dikush tjetër edhe nëse vet nuk ka simptoma.
“HPV-ja kryesisht bartet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, me rreth 30 lloje të HPV-së që mund të barten përmes aktivitetit seksual. Kjo mund të ndodhë gjatë çfarëdo kontakti intim, si marrëdhënia seksuale vaginale, orale ose anale apo nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë edhe pa pasur marrëdhënie seksuale”- thuhet në këtë artikull të UNICEF-it.
Në këtë artikull po ashtu tregohet për efektet e vaksinës dhe grupet e qytetarëve që rekomandohen të vaksinohen dhe ata që nuk rekomandohen të vaksinohen.
|