schema:text
| - Foto: Pixabay
Katër komunat me shumicë serbe në veri hyjnë në dimër pa i paguar faturat e rrymës
Deklarata
Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji:
- ZRRE do t’ia lëshojë licencën e furnizimit Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
- Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së…
Udhërrëfyesi me të gjitha pikat i gjeni KËTU.
Vlerësimi
Rrenë
Qytetarët e katër komunave serbe do të vazhdojnë të mos e paguajnë energjinë e shpenzuar edhe gjatë këtij dimri. Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, i nënshkruar më 21 qershor 2022, në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po zbatohet. Ishte paraparë që brenda 100 ditëve nga nënshkrimi i udhërrëfyesit të fillojë pagesa e faturave të rrymës nga qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, por kanë kaluar 175 ditë nga nënshkrimi dhe ende nuk janë zbatuar as gjysma e pikave të udhërrëfyesit. Pesë nga 9 pikat që ka paraparë udhërrefyesi nuk janë zbatuar ende. Ndërsa, pika një dhe pika katër janë zbatuar plotësisht, pika dy dhe pika tre janë zbatuar pjesërisht.
Artikulli
Udhërrëfyesi për energjinë, i cili brenda 100 ditëve kishte paraparë fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, ende vazhdon të ngecë derisa po shkon drejt 200 ditëshit që nga nënshkrimi i tij.
Kalendari i udhërrëfyesit që përmban 9 pika e për të cilët kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u dakorduan më 21 qershor 2022, përmban afate kohore që pritej të zbatoheshin brenda 100 ditëve. Deri tani ka të zbatuar plotësisht vetëm pikën e parë dhe atë të katërt, zbatimi i pikës së dytë dhe të tretë vazhdojnë të jenë pjesërisht të zbatuara ndërsa pesë pikat e tjera ende nuk kanë filluar zbatimin.
Pika e parë e udhërrëfyesit thotë se ZRRE do t’ia lëshojë licencën e furnizimit Elektroseverit. Kjo licencë i është dhënë Elektroseverit më 24 qershor, pra tri ditë pas arritjes së dakordimit në Bruksel.
Në pikën e dytë të udhërrëfyesit thuhet se brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së. Sipas zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi, të dhënat e oftuara nga Elektrosever janë të mangëta duke hedhur dyshime edhe mbi falsifikimin e tyre.
“Kemi zbatim të pjesshëm të pikës së dytë ku kërkohet transferimi i të dhënave të konsumatorëve tek ZRRE-ja, KOSTT, dhe KEDS pasi janë dorëzuar 14 mijë dhëna që është më pak se numri i anticipuar nga matësit e orës në veri ne mendojmë që janë rreth 22 mijë e 800 orë matës dhe këto të dhëna përveç që janë të cunguar i mungojnë edhe disa informata dhe besohet që ka edhe falsifikim brenda tyre” – tha Bislimi në raportimin e tij para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës më 6 dhjetor.
Ndërsa në pikën e tretë të udhërrëfyesit thuhet që Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës – Marrëveshja Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi Detyrimin e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit.
Zbatimin e pjesshëm të pikës së tretë të udhërrëfyesit e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Bislimi. Ai ka thënë se marrëveshjet me KOSTT-in janë nënshkruar, ndërsa marrëveshjet me KEDS-in ende nuk janë nënshkruar. Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe nga KOSTT-i.
“Siç parashihet në Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, me Elektrosever janë nënshkruar: Marrëveshja për Aderim në Rregullat e Tregut, marrëveshja për Palën Përgjegjëse për Balanc, si dhe është nënshkruar si dhe Marrëveshja për Blerje te Energjisë nga Burimet e Ripërtërishme të Energjisë (BRE)”, ka thënë Elvane Devexhi – Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT.
Ndërsa për numrin e të dhënave të dorëzuara nga Elektrosever dhe për të dhënat që po presin t’i marrin, KOSTT nuk ka dhënë përgjigje.
“Për më shumë informacione rreth zbatimit të obligimeve të tjera që dalin nga Udhërrëfyesi, ju lutemi drejtohuni në ZRrE dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për implementimin e Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian” – ka thënë ajo.
Për mosnënshkrimin e deritanishëm të marrëveshjeve me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të saj por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është kryenegociatori i këtij udhërrëfyesi e ka konfirmuar që pika e katër e udhërrëfyesit është zbatuar në tërësi. Në pikën e katër thuhet që brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë Kodin e Identifikimit të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licencë.
KALLXO.com ka kontaktuar, Boban Novakoviq, drejtor i kompanisë ‘Elektrosever’ për të marrë një përgjigje për vonesat në zbatim si dhe akuzat e zëvëndekryeministrit Bislimi për falsifikim të të dhënave, mirëpo ai nuk ka dhënë përgjigje, nën arsyetimin se ‘nuk është i autorizuar’
“Nuk jam i autorizuar të komunikoj me media. Para së gjithash, duhet t’i drejtoheni departamentit të mediave” – ka thënë ai.
Sipas rekomandimit të drejtorit, KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën për Media të kompanisë ‘Elektrosever’ mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Granatuesi i zbatimit të këtij udhërrëfyesi është Bashkimi Evropian, mirëpo për vonesat në zbatim të afateve të përcaktuara me kalendar, të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli në pyetjet u janë dërguar që nga 7 dhjetori.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013. Derisa më 21 qershor 2022, në Bruksel ishte arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë të arritur në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës. Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.
Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.
11 milionë euro ‘borxh’ për veriun
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.
“Aktualisht, obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës janë afër 11 milionë euro” – ka thënë Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT.
Sipas saj, shpenzimet e veriut llogariten si devijime të cilat janë obligim për KOSTT që t’i paguajë.
“Në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Por të gjitha imbalancet/devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv përfshirë devijimet për shkak të veriut paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E” – ka thënë ajo.
Derisa në vitin 2021 humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike e shpenzuar por jo e paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri kanë arritur shumën mbi 40 milionë euro vetëm në vitin 2021. Më tej ata kanë treguar se nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT-it sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Kjo ka bërë që bilanci i suksesit të KOSTT-it të jetë negativ, me humbje rreth 25 milionë euro.
Në fillim të vitit 2021, KOSTT ishte ankuar te Zyra e Rregullatorit për Energji se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.
“Dimri i vështirë”
Në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë më 8 gusht 2022, kryemnistri Kurti ishte pyetur se nëse dështon zbatimi i marrëveshjes së arritur për energji, a është e detyruar përsëri Kosova të paguajë për rrymën e shpenzuar dhe jo të paguar në veri.
“Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen rrymën e konsumuar ne veri, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur” – kishte deklaruar kryeministri i Kosovës në intervistën e dhënë për Radio Evropa e Lirë.
KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Zyrën e Kryeministrit për të marrë informacione nëse do të ndajnë buxhet për të paguar energjinë elektrike për pjesën veriore, mirëpo të njejtit nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike këtë vit, duke bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke subvencionuar qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike se vitin e kaluar e të tjerë për blerjen e pajisjeve për ngrohje.
Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i një megavati sot po shitet 444 euro ndërsa në pikun e shpenzimit të energjisë ajo po shitet 544 euro.
Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor. Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mos prodhimit të sasisë së duhur të energjisë nga KEK.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.
Pas vitit 2017, një pjesë e energjisë elektrike të shpenzuar nga qytetarët serbë në veri të Kosovës është tërhequr nga rrjeti evropian i energjisë kurse pjesa tjetër nga viti 2018 është mbuluar nga KOSTT dhe Qeveria e Kosovës.
|