schema:text
| - Informacioni i rremë se KFOR përkrahë hapjen Urës së Ibrit
Deklarata
Kurti: U konsultuam për hapjen e urës me Komandantin e kforit, edhe nga ai morëm përkrahje për hapjen e urës e cila do të realizohet ditët në vijim: Kryeministri 🇽🇰 Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas 🇹🇷, në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm.
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Kurti: U konsultuam për hapjen e urës me Komandantin e kforit, edhe nga ai morëm përkrahje për hapjen e urës e cila do të realizohet ditët në vijim: Kryeministri 🇽🇰 Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas 🇹🇷, në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm.”- është i rremë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka thënë “morëm përkrahje për hapjen e urës e cila do të realizohet ditët në vijim”. Kurti në postimet e tij ka informuar për takimin që e kishte me Komandantin e KFOR-it Özkan Ulutas dhe se të njëjtin e kishte infrormuar për planet e Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit.
Artikulli
Më 13.08.2024 faqja në Facebook ‘Lajme nga Bota’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutas dhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se Kurti ka marrë përkrahje nga KFOR-i për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.
Fotografia është publikuar me përshkrimin “Kurti: U konsultuam për hapjen e urës me Komandantin e kforit, edhe nga ai morëm përkrahje për hapjen e urës e cila do të realizohet ditët në vijim: Kryeministri 🇽🇰 Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas 🇹🇷, në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm”.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka analizuar komunikatat e lëshuara nga Qeveria e Kosovës dhe KFOR në lidhje me takimin Kurti- Ulutas, më 13.08.2024.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë takimit të kryeministrit me komandantin e KFOR-it është diskutuar rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.
Ndër temat qendrore, sipas njoftimit, ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”- thuhet në komunikatën e publikuar nga ZKM-ja.
Pra, në asnjë rresht nuk është citati i kryeministrit Kurti që është publikuar nga faqja ‘Lajme nga Bota’ (arkiva). Krypometër ka kontrolluar edhe postimet që Kurti i ka bërë në profilin e tij Facebook, mirëpo aty nuk ka thënë se e ka marrë përkrahjen e KFOR-it për hapjen e urës së Ibërit.
Krypometër ka kontaktuar me këshilltarin politik në Zyrën e Kryeministrit, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se Kurti nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rikonfirmuar përmes një komunikate qëndrimin se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”– thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Ky institucion thotë se do të vazhdojë përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së” – thuhet ndër të tjera në kumtesën e publikuar më 13.08.2024.
Krypometër ka dërguar pyetje në KFOR për të parë nëse ka ndryshuar qëndrimi i tyre i shprehur në komunikatën e datës 13.08.2024 dhe në një përgjigje me shkrim ata kanë thënë se “qëndrimi në lidhje me çështjen e Urës së Ibrit nuk ka ndryshuar”.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.
Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikada, të cila u larguan në vitin 2014.
Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe disa pemë.
Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi u largua në vitin 2015.
E derisa ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve, karabinierët qëndrojnë në të dy anët e saj të “përkushtuar për një ambient të qetë dhe të sigurt”.
|