schema:text
| - Video e fabrikuar e Ganimete Musliut
Deklarata
Ganja ka e knon Albin Kurtin
Vlerësimi
Rrenë
Video në të cilën shihet deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu duke kënduar këngë për kryeministrin Albin Kurti është e manipuluar. Deputetja Ganimete Musliu nuk e ka kënduar këngën për Albin Kurtin. Në videon reale, deputetja Ganimete Musliu është afër këngëtarit i cili këndon këngë në të cilat përmendet ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ganimete Musliu është deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare në Kosovë. Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, që njëherësh është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Artikulli
Më 10.02.2024 faqja e Facebook-ut “Spacebuk” (arkiva) ka publikuar një video-material në të cilën shihet deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.
Video mban përshkrimin “Ganja ka e knon Albin Kurtin”, është shikuar 337 mijë herë deri më datën 14.02.2024.
Krypometër ka analizuar materialin dhe është vërejtur një mospërputhje e këngës që dëgjohet në video me atë se çka shihet duke kënduar deputetja Musliu.
Për të vërtetuar dhe qartësuar këtë përmbajtje, Krypometër ka kontaktuar me deputeten e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë opozitare, PDK, Ganimete Musliu. Ajo nuk ka votuar në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë Kurti II dhe njëkohësisht është prej deputeteve më të zëshme të Kuvendit të Kosovës.
Musliu, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se video është e manipuluar. Ajo ka thënë se për të njëjtën video e ka publikuar edhe një sqarim në profilin e saj.
Krypometër e ka gjetur reagimin e saj, të cilit i është bashkangjitur edhe video reale.
“E vërteta e videos që po qarkullon në rrjetet sociale se gjoja unë jam në sofren ku i këndohet Albin Kurtit. Jo pse me brengos kjo video sepse unë i njoh mirë sojin e tyre, por po e postoj te vërteten për të treguar se këta te VV edhe ëndërr e shohin e Presidentin Thaçi këta vuajnë me qenë si ai. Mjeran ju shkoj jeta duke fallsifiku e duke gënjyer! Kjo tregon panikun tuaj kur edhe dasmat shqiptare tentoni ti falsifikoni e ti shëmtoni!”- ka shkruar Musliu në faqen e saj në Facebook.
Në videon reale, Musliu është afër këngëtarit që është duke kënduar këngën “T’fala Parisit”, e ndër të tjera kënga vazhdohet me tekstin “jemi ushtarë të Hashim Thaçit”.
Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë kohës së luftës ka qenë udhëheqës i ekipit të Kosovës në bisedimet e zhvilluara në Rambuje.
Pas luftës, Thaçi ishte bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Hashim Thaçi në dy mandate ka qenë kryeministër dhe më pas edhe President i Republikës së Kosovës.
Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit për tu përballur me akuzat e Gjykatës Speciale. Aktualisht Thaçi është në burgun e Hagës. Ai është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës Speciale për akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
Në Kosovë u është kushtuar këngë liderëve të ndryshëm, e të cilat më pas përdorën nga përkrahesit e tyre, sidomos nëpër fushata zgjedhore (shiko këtu, këtu). Kjo është një prej mënyrave për të bërë politikë në Kosovë.
Deputetja Ganimete Musliu ka qenë viktimë e disa lajmeve të rreme (shih 1, 2, 3, 4, 5) që janë publikuar për të, kryesisht duke tentuar që informacionet e rreme të kamuflohen përmes postimeve kinëse satirike.
|