schema:text
| - Video e nxjerrë nga konteksti nga një ceremoni e kungimit
Deklarata
“Tmerr. Si është e mundur?”
Vlerësimi
Me kos
Video me përshkrimin “Si është e mundur?” është nxjerrë jashtë kontekstit. Kjo video në të cilën shihet një burrë teksa ia dhuron një unazë një vajze të vogël, është paraqitur si martesë, por ky aludim është i rremë. Në cermoninë shihet babai teksa ia dhuron një unazë vajzës së tij, në ditën e kungimit të saj.
Artikulli
Më 06.02.2024, faqja e rrjetit social Instagram, copeza.tjetes (arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet një burrë dhe një vajzë e vogël në një aheng.
Në material është vendosur një përshkrim në gjuhën shqipe “Si është e mundur?”, pa i dhënë ndonjë kontekst se për çfarë bëhet fjalë.
E njëjta video është publikuar edhe në faqen “mememeqesh” me mbishkrimin “Tmerr. Si është e mundur?” (arkiva)
Postimi në faqen copeza.tjetes (arkiva) ka marrë 309,015 mijë pëlqime, ndërkaq kanë komentuar 37,292 persona, e që disa prej tyre aludojnë se burri që shihet në video është një musliman që po i propozon martesë një vajze të mitur.
Kjo video është raportuar nga 322 profile në Instagram si video me informacion të rremë.
Për të verifikuar vertetësinë e kësaj videoje, Krypometër përmes kërkimeve në “Google Lens” dhe “TinEye” ka arritur të gjejë videon (arkiva) me personat e njëjtë, por të inçizuar nga një kënd tjetër në faqen e instagramit gino_coppola, i cili është protagonist në material. Postimi mban përshkrimin “Unë do të jem përgjithmonë kalorësi yt, të dua shumë… Babi” (nga italisht në shqip).
Krypometër ka verifikuar se i njëjti profil, me emërin Gino Coppola ka postuar edhe disa video dhe fotografi me vajzën e njëjtë.
Gino Coppola në profilin e tij thotë se është kompozitor. Ai ka publikuar edhe një video (arkiva) tjetër që duket se është nga e njëjta ditë me përshkrimin “Urime bebes sonë për kungimin e saj të parë!! ❤️ të duam!! @rosyreyofficial_ @danilacoppola13” (nga italisht në shqip).
Në videon që ai ka postuar, ka pranuar disa persona e kanë sinjalizuar atë se video e tij është ripostuar nëpër rrjete të ndryshme sociale duke e keqpërdorë atë. Ai fillimisht në një koment ka thënë se e ka raportuar një video të tillë.
E në një koment tjetër, ai ka shkruar “A nuk po e shihni që është vajza ime? Turp të keni”.
Ai ka profil edhe në Facebook në të cilin ka publikuar shumë prej aktivitetit të tij artistik, mirëpo ka publikuar edhe fotografi me vajzën e tij.
Me këtë nënkuptohet se fëmiu që shihet në video, në fakt është vajza e tij dhe se ngjarja ka të bëjë me ceremoninë e kungimit të saj.
Krypometër ka gjetur edhe një fotografi (arkiva) tjetër të postuar në po të njëjtën faqe që mban përshkrimin “Babi në ditën time të kungimit dua të jem princeshë!! Këto ishin fjalët e tua, dhe fjalët e dhëna mbahen!! Edhe nëse jeni çdo ditë tek ne!!! Shpresoj që të jesh kënaqur, të duam”.
Krypometër, më 21.03.2024, ka marrë një përgjigje edhe nga Gino Coppola, i cili ka thënë se përshkrimi i videos që është publikuar nëpër media është e rremë.
“Ky fëmijë është vajza ime dhe ka qenë duke festuar kungimin e saj të parë. Unë si baba i mirë, ne shnjë dashurie i dhurova një unazë të thjeshtë”- ka thënë Coppola për Krypometër.
Kungimi i Parë është një ceremoni fetare për katolikët. Ky ritual bëhet në kishë kur fëmiu është i moshës rreth shtatë ose tetë vjeç.
Pasi rituali kryhet në kishë, disa familje organizojnë një festë dhe fëmijëve u japin dhurata. Në këtë rast vajzat zakonisht vishen me fustane dhe këpucë të bardha.
Shënim: Artikulli është edituar më 21.03.2024, duke iu shtuar përgjigja e personit që shihet në video, babait të fëmiut, Gino Coppola.
|