schema:text
| - Reklamimi i suplimenteve për hipertension përmes doktorëve të rrejshëm
Deklarata
“PRESION NORMAL GJAKUT me Hyper Caps® Cardio!”
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titullin “PRESION NORMAL GJAKUT me Hyper Caps® Cardio!” është i rremë. Në këtë artikull janë cituar mjekë fiktivë, duke përdorë fotografi të gazetarëve dhe mjekëve nga Rusia, por duke i prezantuar ata me emra shqiptarë. Kjo faqe e internetit ngjanë sikur të jetë pjesë e një portali të njohur në Kosovë, por në fakt nuk është e tillë pasi në secilën prej rubrikave që klikon të dërgon tek pjesa për porosinë e produktit që kushton 19.5 euro.
Artikulli
Më datë 24.02.2024, faqja në Facebook, ‘Dream Team Dentalka’ (arkiva) ka publikuar një shkrim me titull: PRESION NORMAL GJAKUT me Hyper Caps® Cardio!”.
I njëjti artikull është publikuar edhe në ueb faqen ‘one-media.pro’ (arkiva) me titull: ZBULIMI I NDALUAR: “NË 7 JAVË, QELIZAT E KUQE ARTIFICIALE ELIMINOJNË PËRGJITHMONË HIPERTENSIONIN, FORCOJNË ENËT E GJAKUT DHE RRISIN NË MËNYRË TË JASHTËZAKONSHME IMUNITETIN!”
Artikulli citon ‘Rijad Shehu’, i cili thuhet se është ilustruar edhe me një fotografi.
Në artikull ‘Rijad Shehu’ përshkruhet si ‘‘kardiokirurg në Gjermani, shpikës, organizator, profesor dhe shqiptar në zemër. Anëtar i Shoqatës së Mjekëve dhe Shoqatës së Kardiokirurgëve, si dhe Anëtar i Dhomës së Mjekësisë. Një nga ekspertët kryesorë në fushën e kardiokirurgjisë në Evropë. Prej 25 vitesh punon në fushën e mjekësisë”.
Fotografia që është shënuar se është e personit të quajtur “Rijad Shehu”, pas kërkimit me ‘Google Lens’, rezulton të jetë e Alexander Myasnikov, kardio kirurg me prejardhje ruse.
Nga kërkimet për mjekun e pretenduar Rijad Shehu, haset një ueb faqe me një intervistë në gjuhën ruse.
Intervista ka për temë tensionin e lartë të gjakut dhe zhvillohet me Alexander Myasnikov dhe gazetarin Vladimir Solovyov, i cili është prezantues rus.
Në këtë intervistë nuk reklamohet suplimenti ‘Hyper Caps’, siç bëhet tek faqja one-media.pro, e cila duket se ka përkthyer intervistën.
Në listën e Odës së Mjekëve të Kosovës janë të listuar të gjithë mjekët që kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin e mjekut në Kosovë, por në këtë listë nuk ka asnjë person me emrin Rijad Shehu.
Krypometër ka kontrolluar edhe nëse ky produkt bën pjesë në listën e produkteve me Autorizim për Marketing në Republikën e Kosovës dhe ka gjetur se produkti ‘Hyper Caps’, nuk bën pjesë në listën e produkteve me Autorizim Marketingu në kuadër të Agjencisë së Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale.
Krypometër ka pyetur edhe kardiologun, Gani Bajraktari nëse e njeh këtë produkt apo nëse e rekomandon për pacientët me hipertension.
“Jo nuk e njoh e as nuk e rekomandoj. Trajtimi i hipertensionit është kapitull. Për këtë rekomandohen barna antihipertensive, e jo suplimente”- tha Bajraktari për Krypometër më 28.02.2024.
|