schema:text
| - Komuna e Vitisë, Foto: Komuna e Vitisë/Facebook
Edhe një premtim për asfaltimin e rrugës në fshatin Tërpezë
Deklarata
Komuna e Vitisë: Kjo rrugë planifikohet të asfaltohet në vitin 2019 kur edhe do të hapen procedurat e prokurimit
Vlerësimi
Hetimet vazhdojnë
Asfaltimi i rrugës prej 300 metrave ka hyrë në buxhetin e vitit 2019. Në të kaluarën, hyrja në buxhet nuk ka qenë garancë për përfundim të një projekti, prandaj KRYPOMETRI do të vazhdojë të monitorojë Komunën e Vitisë, nëse do të mbajnë fjalën për asfaltimin e kësaj rruge.
Artikulli
Në muajin maj të vitit 2018, KALLXO.com kishte shkruar për rrugën “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Tërpezë të komunës së Vitisë, e cila nuk ishte asfaltuar edhe përkundër kërkesës së banorëve.
Rruga “Lavdia e UÇK-së” në skaje të së cilës janë të ndërtuara rreth 13 shtëpi, është një rrugë publike rreth 300 metra e gjatë, e cila e lidh “Rrugën e UÇK-së” me “Rrugën e Kalasë” të fshatit Tërpezë.
“Me keqardhje e paraqes këtë rast por, na kanë nënçmuar shumë në këtë rrugë, vetëm një herë është investuar 2 kamiona zhavorr, kemi bërë kërkesë dhe peticion, rruga ka qenë në sistem (për me u asfaltu), kurse tash e kishin heqë prej sistemit”, kishte thënë Agim Emini për KALLXO.com në mujin maj.
Por, Komuna e Vitisë ka thënë për KALLXO.com se arsyeja kryesore pse nuk është bërë asfaltimi i rrugës “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Tërpezë është se nuk i është dhënë prioritet nga Këshilli i Fshatit.
Komuna e Vitisë kishte deklaruar për KALLXO.com se asfaltimi i rrugës “Lavdia e UÇK-së” nuk ishte në plan për t`u asfaltuar në vitin 2018 por që ishte në plan për vitin 2019.
“Kjo rrugë planifikohet të asfaltohet në vitin 2019 kur edhe do të hapen procedurat e prokurimit”, përfundon përgjigja e komunës së Vitisë.
Në vitin 2019, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Vitisë për t’i pyetur nëse kjo rrugë do të asfaltohet siç ishte premtuar në muajin maj nga kjo Komunë.
Në përgjigjen e drejtorit të Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit në Komunën e Vitisë, Ibrahim Rama thuhet se kjo rrugë është në plan për asfaltim në vitin 2019.
“Po është planifikuar me plan buxhetin e vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e Ramës.
Sipas tij, asfaltimi i rrugës “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Tërpezë është përfshirë në projektin “Asfaltimi i rrugëve rurale”, i cili do t’i kushtojë Komunës 406 mijë euro.
“Besojmë diku nga muaji maj – qershor 2019”, ka thënë Rama në lidhje me kohën e realizimit të këtij projekti.
|